Terri informativ/ Asnjë e dhënë për kompaninë “Adriatic Yachting Marina” që merr me koncesion ndërtimin e portit të jahteve pranë Urës së Dajlanit

TIRANË, 15 qershor 2013 – 8 ditë para zgjedhjeve, me ngut të madh, Këshilli i Ministrave ka miratuar propozimin e Sokol Olldashit, ende ministër i Punëve Publike dhe Transportit, deputet dhe kandidat për deputet i Fierit, që ai të jetë kryetar i autoritetit kontraktues për një investim në qytetin e Durrësit.

Sipas njoftimit zyrtar të kabinetit të Kryeministrit Sali Berisha, Qeveria ka miratuar, më 14 qershor 2013, propozimin e ministrit të Punëve Publike dhe Transportit, që autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurave ligjore, për dhënien me koncesion të ndërtimit të portit të jahteve pranë Urës së Dajlanit, Durrës, të jetë Ministria e Punëve Publike dhe Transportit, me titullar Sokol Olldashin.

Koncesioni do të jetë i formës BOT (ndërtim, shfrytëzim dhe transferim në pronësi të shtetit).

Olldashi do të nënshkruajë bonusin, prej 8 për qind të pikëve, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkurruese (propozim i pakërkuar), që i jepet subjektit “Adriatic Yachting Marina”.

As Berisha as Olldashi nuk japin ndonjë informacion për kompaninë “Adriatic Yachting Marina”, së cilës nuk i është kërkuar propozimi, pra që është ofruar vetë me ndërmjetësues.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/