Kandidati Eduard Halimi takohet me fermerët e zonës së Fushë-Krujës
DURRES, 14 qershor 2013 – Rrugët që kemi ndërtuar në këto vite kanë sjellë zhvillim dhe punësim, duke krijuar kushte për zbatimin e projekteve të tjera madhore në katër vitet që vijnë. Kjo ka qenë kryefjala e bashkëbisedimit që ministri i drejtësisë, njëkohësisht kreu i grupit të punës së Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, Eduard Halimi, zhvilloi sot paradite në fshatin Budull të Komunës së Bubqit. Në takim morrën pjesë fermerë nga komuna të ndryshme të zonës së Krujës, të cilët sollën dëshmi për ndryshimet e shumta pozitive, veçanërisht në infrastrukturën rrugore mes fshatrave.
“Alternativa që Partia Demokratike ofron për të gjithë ju më 23 qershor është ajo e zhvillimit dhe ndryshimit, ndërsa kreu i Partisë Socialiste ka provuar në vite se kërkon të kundërtën. Gjatë këtyre tetë viteve kryeministri Berisha dhe qeveria shqiptare zgjodhën të ndërtojnë rrugët në të gjithë vendin, duke përfunduar një projekt madhor dhe duke i hapur rrugë realizimit të reformave të tjera,” – theksoi Eduard Halimi.
“Brenda muajit nëntor të këtij viti ne do të përfundojmë hartën dixhitale, duke mundësuar njohjen e pronave bujqësore në të gjithë vendin,” – tha më tej kandidati Eduard Halimi. Ai theksoi, gjithashtu, se “subvencionimi i fermave bujqësore nga qeveria shqiptare ka sjellë rritje të prodhimit në të gjithë vendin.” “Kjo rritje do të ishte disa herë më e madhe, nëse Partia Socialiste dhe kryetari i saj nuk do të pengonin hapat e ndërmarrë nga qeveria për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian,” – nënvizoi ministri Eduard Halimi. “Në katër vitet e ardhshme, e gjithë fytyra e vendit do të kthehet nga fshati,” – theksoi Eduard Halimi, duke premtuar realizimin e hapave të tjerë konkretë në këtë sektor.
Duke iu përgjigjur interesimit për projektet e ardhshme, ai tha se “në muajin shtator, në Qarkun e Durrësit do të nisë zbatimi i projektit me vlerë 86 milionë USD, që në bashkëpunim me Bankën Botërore, do të mundësojë rritjen e sasisë së ujit të pijshëm, jo vetëm për qytetin, por edhe për fshatrat e komunave të qarkut.”
Gjatë prezantimit të Vullnet Topallit si kandidatin për deputet të Partisë Demokratike në këtë zonë, ministri Eduard Halimi tha se “ata sëbashku do të jenë në parlamentin e ardhshëm avokatë dhe shërbëtorë të interesave të të gjithë qytetarëve shqiptarë.”
Për afro dy orë, ministri Eduard Halimi dhe kandidati Vullnet Topalli kanë bashkëbiseduar me të pranishmit për të ardhmen e kësaj zone pas fitores së koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 23 qershorit.





