TIRANE, 14 qershor 2013 – Në vijim të takimeve elektorale në kryeqytet, me gratë e vajzat e njësisë nr. 9, lideri i Frymës së Re Demokratike Bamir Topi theksoi se gratë në Shqipëri përbëjnë gjysmën e popullsisë, ndaj tha Topi, ato kanë në dorë dhe do të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve të 23 qershorit.

Sipas tij, mentaliteti maskilist në vendin tonë i zhvendos gratë nga jeta politike në Shqipëri.

“Zakonisht gratë futen në politikë si femra, por ndonjëherë përfundojnë të jenë pjesë e mentalitetit maskilist, siç është edhe rasti i parlamentit tonë. Edhe pse gratë duket sikur kanë pak rol në shoqëri, ato janë mbështetja e parë për familjen, ato janë gjysma më e mirë e shoqërisë”, u shpreh ai.

Duke theksuar pjesëmarrje sa më të madhe të femrave në jetën politike e publike, Topi u shpreh i lumtur se në kohën që ka qenë në krye të Presidencës, ka mbështetur gjithmonë barazinë gjinore dhe ka stimuluar një pjesëmarrje më të madhe të gruas në politikë.

Topi siguroi se të njëjtin qëndrim vazhdon të ketë edhe tani në angazhimin e tij politik si kryetar i Frymës së Re Demokratike.

Më vonë Topi zhvilloi një takim edhe me banorë të njësisë numër 3 në kryeqytet në një treg të kësaj zone të cilët i quajti të persekutuar, pasi siç tha ai, persekucioni vjen edhe nga mungesa e politikës.

"Ajo që e bën të veçantë këtë treg është se ndodhet jashtë çdo lloj standarti, ata vijnë të nxjerrin këtu bukën e gojë si një pjesë e popullsisë shqiptare vuan një krizë ekonomike, Shqipëria s'është e gjitha në standartin e njerëzve të pasur, s'është asgjë jashtë të natyrshmes për njerëzit që të vijnë të vizitojnë këtë treg".

Sipas Topit, politikanët s'duhet t'i bëjnë politikat nga zyra.