Privatët në fushatë artistike, institucionet në fushatë zgjedhore

DURRËS, 14 qershor 2013 – Dy koncerte dhe një ekspozitë e arteve pamore janë organizuar mbrëmjen e së enjtes në dy institucione të njohura private, që mbështesin artin dhe kulturën.

Ndërsa qendra kulturore “Aleksandër Moisiu” ka qenë e detyruar të lëshojë skenën e tetarit për mbledhjet e subjekteve elektorale dhe galeria publike e arteve ka ekspozuar për herë të fundit tri javë më parë, subjektet private të artit i kanë organizuar veprimtaritë e tyre pa i njohur kalendarët e njëra tjetrës.

Siç njofton gazetari i ATSH-së, Gëzim Kabashi, i cili na dërgoi dhe fotot e realizuara prej tij, ftesat e koncerteve dhe ekspozitës kishin të njëjtën datë dhe orë: 13 qershor, ora 19.00.

Sidoqoftë, nismat e Galerisë “Jozef” dhe “Klubit të artit dhe kulturës” në këtë stinë të nxehtë parazgjedhore duhen përshëndetur me gjithë zemër.

Për artdashësit që nuk kanë mundur të jenë njëkohësisht në dy vende, si dhe për ata që nuk kanë arritur të marrin ftesën, një informacion i shkurtër nga mbrëmja artistike e së enjtes në qytetin bregdetar.

Instrumentistet kryeqytetase Kristina Petrollari Laço, Edmea  Krasniqi, Etleva Katroshi dhe Dorina Laro, ishin mysafire të galerisë “Jozef”, e cila u rihap për artdashësit mbrëmjen e së enjtes pas disa kohë heshtjeje.

Artistet e Universitetit të Arteve të Tiranës interpretuan në formacion trio dhe kuartet, tri vepra të rëndësishme të literaturës muzikore.

Pas Kuartetit op. 23 nga Antonin Dvorzhak dhe veprës së Gustav Mahlerit “Nicht zu schnell”,  ku u shqua pianistja Laço, trioja instrumentale e formuar nga Krasniqi, Laro dhe Laço, përcollën për dëgjuesit një tjetër vepër nga Dvorzhak, duke fituar duartrokitjet e të pranishmëve.

Ndërkaq në të njëjtën orë, në “Klubin e artit dhe kulturës”, që menaxhohet nga kompania “Sigal”, dy instrumentistë shkodranë ishin protagonistë të një koncerti tjetër, me vepra nga Moxart, Bethoven, dhe Bela Bartok.

Pianisti Amir Xhakoviq dhe violinisti Redis Mujaj u bënë pjesë e një veprimtarie të përbashkët me piktorin Vasil Lalo, i cili në të njejtin mjedis përuroi një ekspozitë me 24 tablo.

80-vjeçari Lalo, i njohur për karrierën e tij si mësues dhe piktor pranë ish-kinostudios “Shqipëria e re” ka marrë pjesë në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara në Gjermani, Maqedoni, Turqi, etj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/