Besimtarët dhe kureshtarët zënë “të papërgatitur” vendasit mikpritës
Fotoreportazh nga Gëzim Kabashi (ATSH)
DURRËS, 13 qershor 2013 – Kepi i Rodonit ka pritur sot më shumë mysafirë se kurrë më parë. Mijëra besimtarë katolikë, banorë të Ishmit dhe qytetarë nga zona të ndryshme të vendit kanë kremtuar sot në kishën mesjetare të Shna Ndout, ritualin fetar kristian që kremtohet edhe në kishën e njohur me të njëjtin emër pranë qytetit të Laçit.
45 km në veri të Durrësit dhe diçka më tepër, larg edhe nga Tirana, Rodoni është gjendur sot i papërgatitur për një fluks kaq të madh njerëzish.
Rruga e re, që nga Maminasi e gjiri i Lalzit, të sjell shumë shpejt edhe në kepin e Rodonit ka krijuar sot një atmosferë festive të panjohur më parë në këtë zonë. Dhjetëra automjete në mëngjesin e 13 qershorit ishin drejtuar që herët në Kishën e vjetër që ka marrë emrin e Antonit, shenjtorit nga Portugalia. Moti pas shiut është tepër i kthjellët dhe nga Kepi shihen edhe kodrat mbi qytetin e Laçit, ku ndodhet simotra e madhe e Kishës së Shna Ndout, siç e njohim ne shqiptarët.
Rituali i sotëm vjen pas 13 të martave, që kremtohen gjerësisht çdo vit, duke filluar nga mesi i muajit mars.
“Kisha parë në TV që rruga ishte rindërtuar dhe se në Rodon mund të mbërrije pa shumë vështirësi”, – tregon Mëhill Dila, nga fshati Barbullush i Shkodrës. Besimtari çdo vit ka shkuar të kremtojë në Laç, ndërsa sot së bashku me familjen ka ardhur të shohë Kishën e vjetër, që mban të njejtin emër.
“Nuk e kisha menduar kështu”, – thotë Mëhilli, i cili nuk ka besuar që më parë se ai, në Kepin e njohur edhe me emrin e Skënderbeut, do të kishte sot kaq shumë njerëz. Megjithë masat e marra nga banorët e zonës dhe disa biznese përreth, numri i njerëzve sot në Rodon ishte shumë i madh.
Komuna e Ishmit nuk kishte marrë fatkeqësisht asnjë masë për mikpritjen e besimtarëve dhe qytetarëve të shumtë dhe vargu i automjeteve ishte bllokuar shumë larg Kishës.
“I kemi lënë makinat gati 800 metra larg prej këtu, pasi rrugët dhe sheshet pranë tyre ishin të bllokuara-tregon Artani nga Tirana. “Jo, nuk jam katolik, i përgjigjet ai pyetjes ime, por ishte rast shumë i mirë, që bashkë me festën të shikoja edhe këtë cep të Shqipërisë, që e njohim shumë pak – shprehet djaloshi nga kryeqyteti.
Mjaft besimtarë të tjerë e kanë kaluar këtu natën e kaluar dhe pranë kishës shihen ende qirinjtë e ndezur. “Kështu bënim fshehurazi edhe në vitet e diktaturës-shprehet Gjoni nga fshati Bizë, 5 km larg Kepit të Rodonit.
Fshatrat Draç dhe Buzë të komunës së Ishmit kanë kryesisht popullsi katolike, e cila i ka mbijetuar më parë edhe pushtimit otoman, duke u fshehur në lartësitë, që ndodhen jo shumë larg bregdetit.
Kisha e Shna Ndout ishte shkatërruar thuajse krejtësisht, kur në fillim të viteve 1990 në këtë zonë erdhi për të shërbyer At Zef Pllumi, tregojnë banorët e zonës. Disa vite më vonë, Ambasada e Gjermanisë në Tiranë financoi rindërtimin e saj, ndërsa u pastruan edhe muret rrethuese të manastirit të Shën Klarës, e cila sipas legjendave është themeluar nga Mamica, motra e heroit tonë kombëtar.
Ndërkaq mesha e 13 qershorit është celebruar në mjedise të hapura pranë kishës, disa dhjetëra metra larg ish-reparteve ushtarake, që deri 20 vjet më parë izolonin tërësisht zonën.
Më pas njerëzit gëzojnë së bashku me familjen apo me miqtë në tendat që kanë ngritur bizneset ambulante, apo edhe duke shtruar nën hijen e pemëve ushqimet që kanë marrë me vete. Grupe të rinjsh, të cilët kanë ardhur për herë të parë në Kepin e Rodonit tashmë kanë një tërheqje tjetër. Ata drejtohen bregut të detit, në këmbë, drejt kalasë së Skënderbeut, një monument tjetër i trashëgimisë sonë historike.
/Red. th. m. për agjencinë e lajmeve “Dyrrah”/





