ELBASAN, 13 qershor 2013 – Një 40-vjeçar ka humbur jetën dhe një grua është plagosur rëndë, mesditën e sotme në Elbasan.
Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se dy persona janë konfliktuar mes tyre, në një lokal në afërsi të Gjendjes Civile në qendër të qytetit të Elbasanit dhe më pas janë dëgjuar të shtëna me armë.
Për pasojë ka humbur jetën shtetasi Hyqmet Pisha, 40 vjeç, ndërsa një kalimtare e rastit ka marrë aksidentalisht një plumb në trup.
Sipas dëshmitarëve, në vendin e ngjarjes janë dëgjuar 7 të shtëna me armë zjarri, ndërsa mbetet ende i paidentifikuar personi që qëlloi në drejtim të 40-vjeçarit.
Paraprakisht dyshohet se shkak i ngjarjes mund te jete, hasmëria. Policia e Elbasanit po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes, ndërsa është vënë në ndjekje të autorit të krimit.
Hyqmet Pisha ishte i dënuar me 17 vjet burg për vrasje të kryer në bashkëpunim, ndërsa kishte vetëm pak kohë që kishte përfunduar dënimin.





