DURRES, 13 qershor 2013 – Mes banorëve të lagjies nr.5, është zhvilluar takimi i radhës i kandidatit për deputet Igli Cara. I entuziazmuar nga pritja e banorëve, Cara e ka cilësuar këtë, një prej takimeve më të bujshme të kësaj fushate elektorale.
Në fjalimin e mbajtur, kandidadi demokrat dhe numri një i kësaj partie për degën e Durrësit, i ka kujtuar banorëve se si forca politike që ai drejton, e gjeti Durrësin në 2005; një qytet i cili nuk plotësonte as kushtet minimale të jetesës, si furnizimin me ujë të pijshëm dhe energji elektrike.
Me tej, Igli Cara u ndal në njërin prej argumentet kyçe të kësaj fushate elektorale, sikurse është taksimi I biznesit të vogël, duke thënë se retorika e Ramës për uljen e taksave të biznesit të vogël, përgënjështrohet fare lehtë në modelet e bashkive të drejtuara nga të majtët.
“Këta “Edat e vegjël” që ka vendosur nëpër bashkitë e Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Sarandës, përse nuk e kanë ulur taksën e biznesit të vogël, sikurse pretendon se do të bëjë Rama nëse do të vijë në pushtet? A e dini ju se një biznes i vogël në Durrës, paguan më shumë se një biznes i vogël në mes të kryeqytetit? A mund t’i bësohet një njeriu të tillë që gënjen kaq hapur? Kostot e gënjështrave të tij dhe mashtrimeve që bën me uljen e taksave, do të rëndojnë vetëm në kurriz të shqiptarëve, në kurrizin e bizneseve, të cilat do të përfundojnë duke falimentuar dhe mbyllur vendet e punës”, tha Cara, përpara banorëve të lagjies nr.5.
Duke vijuar në po të njejtën linjë, Cara ju tha banorëve se durrsakët nuk mund të lejonin kurrësesi që pas 23 qershorit, të vinin në pushtet, politikanë, të cilët janë provuar për paaftësinë e tyre në qeverisje, para 2005.
Sipas tij, votën e qytetarëve, e meritojnë ata të cilët dinë të përmbushin premtimet e dhëna e që firmën e të cilëve, mbajnë të gjitha fitoret e Shqipërisë; vota e durrsakëve për Partinë Demokratike, do të garantojë mandatin e artë, mandatin e deputetit të tetë.





