SASSARI, 13 qershor 2013 – Rezistencë, lëndime, refuzim informacioni personal, por mbi të gjitha tentim rrëmbimi të një fëmije katër vjeçar, kanë qenë shkaqet që agjentët e Seksionit Flying të policisë italiane, të vihen në ndjekje të shqiptarit Madi Murati 27 vjeç, i pastrehë.
Mbrëmjen e së martës rreth orës 20.15 policia italiane ka arrestuar në flagrancë 27-vjeçarin shqiptar.
Agjentët e policisë italiane janë vënë në ndjekje të tij, pas informacioneve të marra nga disa qytetarë.
Ata kanë kapur personin, i cili më herët kishte tentuar t’u rrëmbente prindërve italian fëmijën e tyre katër vjeçar.
Përpjekjet e tij kanë dështuar pas ndërhyrjes së shpejtë të prindërve të 4-vjeçarit, i cili është larguar duke i fyer dhe kërcënuar ata .
Gjatë operacionit për kapjen e tij agjentët e policisë italiane janë përballur me sulme dhe ofendime nga ana e 27-vjeçarit.
Pas formaliteteve të kryera nga ana e policisë italiane 27-vjeçari Madi Murati është dërguar në burgun e Shën Sebastianit për t’iu nënshtruar gjykimit.





