DURRES, 12 qershor 2013 – Trajneri i Teutës, Gugash Magani, është shprehur se ka mbetur i kënaqur nga skuadra në këto ditë të para të përgatitjeve. Në një bisedë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës durrsake theksoi se përgatitjet e deritanishme kanë ecur sipas parashikimit, ndërsa garanton se deri në startin e dy ndeshjeve të Europa Ligës skuadra do të jetë e kompletuar dhe e gatshme për t’u përballur me kundërshtarin.

“Kemi mbi një javë që kemi nisur përgatitjet intensive në kuadër të sezonit të ri, të cilin do ta nisim me dy ndeshjet e Europa Ligës. Deri më tani gjithçka ka ecur sikurse kishim parashikuar, dhe lojtarët pak e nga pak po vijnë në formën e tyre të mëparshme. Gjithnjë nisjet e përgatitjeve ndikojnë në dëmtimin e lojtarëve, pasi vijnë nga pushimet, por fatmirësisht deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem serioz. Te lojtarët shikoj një dëshirë të madhe për të punuar dhe kjo do të na ndihmojë për t’u përmirësuar akoma më shumë. Me përjashtim të disa largimeve dhe afrimeve të reja, skuadra pak a shumë do të jetë e njëjtë me atë të sezonit të shkuar. Mund të ketë ndonjë ndërhyrje tjetër në merkato, por për momentin jemi të fokusuar vetëm te puna në drejtim të përgatitjeve për sezonin e ri”.
 

Përgatitorja – Sipas Maganit, fazën përgatitore Teuta do ta zhvillojë në Bansko, ku dhe është përgatitur përgjatë dy viteve të fundit. Bansko është një qytet i vogël malor në veri të Bullgarisë, në të cilin kushtet klimaterike janë optimale që lojtarët të marrin ngarkesën e nevojshme.

“Të enjten skuadra do të udhëtojë drejt Bullgarisë, ku do të qëndrojë për rreth dy javë për zhvillimin e fazës përgatitore. Ky është viti i tretë që zhvillohet në Bansko, pasi në këtë periudhë është vendi ideal për t’u stërvitur, nisur nga temperaturat e ulëta dhe të favorshme për të punuar intensivisht. Atje do të kryejmë edhe punën më të madhe. Besoj se do të kthehemi mjaft të fortë dhe të gatshëm për dy ndeshjet e Europa Ligës. Kemi një grup të mirë dhe të gjithë së bashku besojmë se do të zhvillojmë një sezon shumë të mirë”, – u shpreh Magani. I pyetur mbi ecurinë e skuadrës në Europë, ai u përgjigj: “Duhet që më parë të njihemi me kundërshtarin, ndërsa më pas do të shpallim edhe objektivin. Kemi një grup të mirë dhe kemi besim se do të bëjmë një paraqitje dinjitoze. Sigurisht dëshira jonë është që ta kalojmë një tur, por kjo siç e thashë do të varet nga kundërshtari që do të kemi përballë”.

Dëmtimet

Artan Sakaj ditët e fundit ka pasur shqetësime. Mbrojtësi gjatë ditës së djeshme është stërvitur veçmas grupit në palestër, pasi tri ditë më parë ka pësuar një dëmtim të lehtë në tendinë. Sipas mjekëve të klubit, Sakaj nuk ka ndonjë dëmtim të rëndë dhe shumë shpejt do t’i bashkohet skuadrës. Ndërkaq, vjen edhe një lajm i mirë nga infermieria. Mbrojtësi brazilian Fernando Da Silva e ka kaluar dëmtimin që e la jashtë fushave të blerta për një kohë të gjatë, kështu që tashmë është i gatshëm t’i shërbejë skuadrës.

Mungesat

Gjatë seancës së djeshme stërvitore, grupi i lojtarëve në radhët e Teutës nuk ka qenë i plotë. Për shkak të impenjimeve me skuadrën kombëtare A dhe U-21, por edhe gjendjes gripale të sulmuesit Daniel Xhafaj, trajneri Gugash Magani nuk ka pasur në dispozicion plotë katër lojtarë. Batha dhe Deliallisi janë ende të grumbulluar me ekipin Shpresa, ndërsa Osmani dhe Xhafaj pritet t’i bashkohen sot ekipit.

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/magani-kemi-nje-grup-te-mire-e-kalojme-nje-tur/#ixzz2W2OQNn4Y