GOLEM, 12 qershor 2013- Në kuadër të fushatës për zgjedhjet politike të 23 qershorit kryetari i FRD-së Bamir Topi u takua me banorë të komunës Golem. Gjatë fjalës së tij, Bamir Topi akuzoi partitë e vjetra për mungesën e një politike vizionare. Për të argumentuar mungesën e vizionit të tyre, ai përmendi rrugën e Golemit që është jashtë standarteve dhe nuk i shërben banorëve të zonës. “Ndryshe nga këto parti,- vazhdoi Topi,- FRD ka hyrë në skenën politike shqiptare me vizion të ri dhe me qëllimin për t’i dhënë fund tranzicionit të gjatë shqiptar.”
Përpara banorëve të Golemit, Topi tha se PD dhe PS me politikën e tyre e kanë lënë vendin jashtë Europës, ndërsa shtoi se politika dinjitoze dhe e moralshme e FRD-së do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së. Duke u ndalur në programet zgjedhore të partive të vjetra kryetari Topi nënvizoi se ato çdo katër vite tundin kartën e punësimit dhe legalizimeve ndërkohë që këto premtime deri tani nuk jane mbajtur.
Ai foli dhe për imazhin e qeverisë aktuale duke thënë se ajo plotëson vetëm interesat që shohin deri tek rrethi i ngushtë familjar ndërsa theksoi se FRD është parti në shërbim të qytetarëve. “Kryeministri dhe ministrat që kanë tetë vjet në kolltuqet qeveritare nuk e njohin rotacionin, fitoren e mbështesin vetëm tek premtimet boshe, ndaj mos u besoni mashtrimeve të tyre zgjedhore” u shpreh kryetari Topi.
Ai theksoi bindjen se fitorja e FRD-së në qarkun e Tiranës do t’i prijë fitores së kësaj force politike në të gjithë vendin. Topi i bëri thirrje banorëve të vlerësojnë zgjedhjet e 23 qershorit, sepse nëse neglizhohet dita e votimeve, nuk do të kenë të drejtën t’i ankohen qeverisë së re. Duke përfunduar ai i kujtoi shqiptarëve të votojnë numrin 66, siglën e FRD-së.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





