Igli Cara: Rama mashtron për vendet e reja të punës

DURRES, 12 qershor 2013 – Takimet elektorale të kandidatit Igli Cara, kanë vijuar në të tjera zona të qytetit të Durrësit, përkatësisht në lagjet numër 5; 16 dhe 4, ku ai iu bashkua edhe dy kandidatëve të tjerë, Oerd Bylykbashit dhe Zamir Ramadanit.

Takimet e organizuara në formën e bashkëbisedimit, i kanë dhënë mundësi banorëve të këtyre lagjeve, të njihen jo vetëm më premtimet e mbajtura dhe në perspektivë të Partisë Demokratike, por të shprehin shqetësimet e tyre, lidhur me problematika të ndryshme.

Kandidati Cara, aktualisht deputet dhe kryetar i Partisë Demokratike në Durrës, para banorëve të lagjes 5, është ndalur gjatë në çështjen e punësimit, duke u thënë qytetarëve se Rama, jo vetëm mashtron me shifrën e vendeve të reja të punës, por synon të shkatërrojë edhe biznesin dhe investitorët, dy gjeneratorët e punësimit, përmes taksimit progresiv.

“Keni dy alternativa që po ju ofrohen këto ditë, Partinë Demokratike, e cila ju premton 250 mijë vende të reja pune dhe Partinë Socialiste, e cila ju premton 300 mijë vende. Me të drejtë do të mendonit se ai që ofron më shumë, meriton edhe votën tonë, por sa i vërtetë është ky premtim? Ku bazohet Rama që premton një shifër të tillë dhe mbi të gjitha, a e ka një projekt konkret? Rama mashtron. Si mund të hapë vendet e reja të punës, kur përmes taksimit progresiv që synon të vendosë, do t’i zërë frymën biznesit dhe investitorëve vendas e të huaj? Mashtron edhe kur flet për uljen e taksës për biznesin e vogël. Përse nuk e ka bërë një gjë të tillë në bashkitë e drejtuara nga socialistët, në qytete të ndryshme, përfshirë këtu edhe Durrësin”, tha Cara.

Më tej ai shtoi se Partia Demokratike dhe premtimi i saj për 250 mijë vende të reja pune, është konkret, sepse mbështetet në një plan të mirë menduar.

“Me lehtësirat që i kemi krijuar biznesit, qoftë në infrastrukturë, po ashtu edhe në politika fiskale, kemi përkrahur kështu gjeneratorin më të madh të vendeve të punës. Ndër të tjera, premtimi ynë se çdo biznes që punëson një të ri, në tre vitet e para të punës për këtë të ri, nuk paguan detyrime. Kjo është një ndihmë jo vetëm për biznesin, por mbi të gjitha është nxitje për punësimin e të rinjve”, përfundoi Igli Cara.

Me tej, kandidati Cara ka vijuar në lagjen 16 dhe në lagjen 4, ku dhjetra qytetarë durrsakë u janë bashkuar takimit të organizuar me kandidatin, duke e siguruar atë dhe kandidatët e tjerë Bylykbashi e Ramadani, se vota e durrsakëve, në 23 qershor, do të jetë blu.