DURRES, 12 qershor 2013 – Piktori Nuri Jaupi pranohet si anëtar i akademisë evropiane të arteve. Anëtarësimi i tij në këtë akademi njoftohet me anë të një certifikate anëtarësimi që mban datën 01.01.2013.

Me anë të këtij vlerësimi që i bëhet piktorit Jaupi, tashmë ai ka mundësi të prezantojë ekspozitat e tij në 13 vende të ndryshme evropiane.

Është një vlerësim nga ana profesionale për piktorin e peisazheve shqiptare, ndërkohë që bëhet e ditur se tashmë piktori Jaupi ka nisur katër punët e para për t’u prezantuar pranë kësaj akademie.

Piktori e ka ndarë këtë ngjarje për karrierën e tij profesionale me miq e dashamirës të tij të shoqatës patriotike dhe kulturore “Tomorri”.

Kryetari i degës së shoqatës në Durrës Hajri Nuhu vlerësoi arritjen e piktori Nuri Jaupi duke e përgëzuar atë për anëtarësimin në akademinë evropiane të arteve.  

Piktori Jaupi ka falënderuar të pranishmit për vlerësimin dhe urimet që i kanë dhënë me këtë rast.

Ai shtoi se kjo arritje është falë një pune dhe përpjekjesh prej dekadash, duke nisur profesionin e mësuesit të vizatimit dhe më pas piktorit në qytetet e Poliçanit, Beratit dhe së fundmi në Durrës. 

 

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/