DURRES, 11 qershor 2013 – Mesfushori i Teutës, Altin Hoxha, në një bisedë për “Panorama Sport” u shpreh se përgatitjet e deritanishme kanë ecur mirë, ndërsa thekson se pret më shumë nga vetja e tij këtë sezon futbollistik.

“Deri më tani, përgatitjet kanë ecur si mos më mirë, ndërsa kemi filluar me nga dy seanca stërvitore në ditë: paradite dhe pasdite. Gjendja e skuadrës gjithashtu është sikurse ishte parashikuar, ndërkohë që shikohet një ekip më i fortë se ai i sezonit të shkuar. Të gjithë jemi impenjuar maksimalisht, në mënyrë që të jemi gati për dy ndeshjet e Ligës së Europës. Jam optimist, pasi si nga ana personale, ashtu edhe ajo e skuadrës, do të kemi një edicion të suksesshëm. Këtë sezon pres të kem më tepër hapësira sa i përket aktivizimit, ndërsa do të bëj të pamundurën për t’i treguar trajnerit se jam i gatshëm për ta ndihmuar skuadrën”.

Duke vijuar më tej, Hoxha ka thënë se ai dhe shokët e skuadrës po presin me padurim të mësojnë emrin e kundërshtarit që do të kenë përballë në Europa Ligë.

“Jemi në pritje për t’u njohur me kundërshtarin me të cilin do të ndeshemi. Nuk është se kemi ndonjë preferencë të veçantë, por shpresojmë që shorti të mos na vërë përballë ndonjë skuadre shumë të fortë. Gjithsesi, ne do të jemi gati dhe do të mirëpresim këdo kundërshtar që do të na rezervojë shorti, ndërsa nuk i trembemi asnjërit prej tyre. Kushtet në Bansko janë ideale, pasi është një qytet malor dhe klima është e mrekullueshme për stërvitje. Shpresoj që prej andej të kthehemi të fortë dhe gati për të pritur kundërshtarin, të cilin do të kërkojmë ta kalojmë me sukses”, – përfundoi Hoxha.
 

Burimi: http://www.panorama-sport.com/kategoria-superiore/ne-durres-luten-per-pak-fat-ne-shortin-e-liges-se-europes/#ixzz2VwnugOqH