Kandidati demokrat Eduard Halimi takohet me punëtorët dhe biznesin fason në Durrës
DURRES, 11 qershor 2013 – Biznesi fason ishte sot ndalesa e radhës e kandidatit demokrat Eduard Halimi në takimet e tij të përditshme, ku ai ka artikuluar qartë programin për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit.
Duke marrë si shembull pikërisht biznesin me fason, që mbizotëron në Durrës për shkak të pozitës së favorshme gjeografike pranë portit, dhe që përfaqëson edhe një pjesë të mirë të investimeve të huaja, kandidati Eduard Halimi tha se:
“Taksat e ulëta dhe klima miqësore për biznesin sjell rritjen dhe zhvillimin e tij, si edhe shtimin e vendeve të punës.” Ai shtoi se “alternativa e Ramës, që kërkon të rrisë taksat, do të thotë mbyllje e bizneseve dhe shkurtim të vende të punës.”
Biznesi me fason i përket asaj kategorie që prodhon me materiale të porositësit. Zgjerimi dhe zhvillimi i këtij biznesi vitet e fundit në vend ka ardhur si rezultat i investimeve të huaja, të cilët, për shkak të kostove më të arsyeshme, pjesën më të madhe të punës për prodhimin e artikujve të ndryshëm industrialë e kryejnë në fabrikat e ndryshme të ngritura në Durrës apo gjetkë.
Këtu bëhet fjalë veçanërisht për proçese pune që kanë nevojë për shumë forcë punëtore. Por, në kushtet e konkurencës edhe me vendet e tjera të rajonit, një pjesë e mirë e këtyre fabrikave, kryesisht të industrisë së konfeksioneve dhe lëkurë-këpucëve, kanë zgjedhur vendin tonë për të investuar.
Dhe, në këtë drejtim, rol të rëndësishëm në vendimet e tyre kanë luajtur politikat fiskale që ka aplikuar prej vitesh qeveria: taksa e sheshtë prej vetëm 10 përqind, ulja e masës së kontributeve sociale, etj.
Eduard Halimi, i cili kryeson listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në Qarkun e Durrësit, zhvilloi takime të njëpasnjëshme në disa prej bizneseve me fason, kryesisht në zonën e Shkozetit.
“Kryeministri Berisha ka premtuar hapjen e 250 000 vendeve te reja të punës, – tha Eduard Halimi. – Dhe, ndryshe nga Rama, që vetëm flet e premton nga autobusi, ne e kemi të qartë programin se si do ta arrijmë këtë objektiv. Ne jemi për taksën e sheshtë prej 10 përqind, ne kemi ulur masën e kontributeve sociale, hoqëm tatimit mbi të ardhurat për pagat mujore deri në 30 000 lekë. Këto janë masat që kanë ndihmuar në nxitjen e biznesit dhe zhvillimin e ekonomisë, këto janë masat që kanë shtuar punësimin. Dhe, ne do të vazhdojmë t’i thellojmë këto ndërhyrje, gjë që do të rezultojë në më tepër investime e në më tepër vende pune.”
Por, në ndryshim nga kjo platformë punësimi e Partisë Demokratike, që rrugën e të ardhmes për punësimin e njerëzve e sheh kah zgjerimi i biznesit dhe i ekonomisë, kandidati demokrat Eduard Halimi tha se:
“Partia Socialiste kërkon të mbysë biznesin.” “Rama propozon rritjen e taksave, por edhe krijimin e 300 000 vendeve të punës, – tha Eduard Halimi. – Por, ju e dini, nëse ne i rritim taksat biznesit, nëse ia bëjmë ato njëlloj si në Itali apo Francë, këtu nuk do të ketë më investime. Madje, edhe këto biznese që janë do të kufizohen, do të shkurtojnë vendet e punës, do të mbyllen fare.”
Eduard Halimi, duke u shprehur i sigurtë për fitoren në zgjedhjet e 23 qershorit, tha se:
“Biznesi do të vazhdojnë të ketë mbështetjen e qeverisë, si mundësia më e mirë dhe më efektive për rritjen e punësimit dhe rritjen e mirëqenies së njerëzve.”





