TIRANË, 11 qershor 2013 – Kreu i FRD-së, Bamir Topi shpreh shqetësimin për situatën e pandryshuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve teksa pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Në një prononcim për mediat pas takimit me përfaqësues të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës(APKiE-së), që ndodhen në Tiranë për një vizitë zyrtare, Topi bëri me dije se i informoi për situatën e krijuar në KQZ, që sipas tij ul kredibilitetin e rezultatit të zgjedhjeve.
“E quaj të pakuptimtë që dhe sot KQZ e ndërtuar me vullnetin e partive kryesore në Parlament, sot rezulton i gjymtuar dhe ne jemi për plotësimin e këtij komisioni, sado vonë. Duke pasur në konsideratë se pjesa e mbetur e KQZ është e përbërë nga militantë, kredibiliteti i zgjedhjeve është në kuotat minimale të mundshme”, tha Topi.
Sa u takon fondeve që partitë politike marrin për fushate elektorale, Topi theksoi se duhet t'u jepet fund dekorit me flamuj nëpër qytet, në një kohë që populli merr ushqime me lista.
“Ne i shprehëm shqetësimin që partitë që marrin fonde te pa deklaruara, e kanë bërë situatën në rrugën e Tiranës dhe të vendit qesharake, pasi mendohet se njerëzit konsumojnë ngjyrën e flamurit partiak. Partitë politike në këtë fazë të mbetur t'i tregojnë elektoratit shqiptar problemet që ka Shqipëria sot. Ky tranzicion i gjatë të mbyllet që shteti të jetë në shërbim të shqiptarëve jo të interesave të pushtetit, unë mendoj se shteti nuk është domen vetëm i një individi, por duhet të jetë shtet i shërbimeve dhe garancisë së qytetarëve shqiptarë dhe që do e çojë Shqipërinë drejt BE”, theksoi Topi.
Kreu i FRD-së, ndër të tjera tha se gjatë takimit me përfaqësuesit e KiE shprehu shqetësimin për dhunimin e kandidatit të FRD-së në Roskovec, ndërkohë që i siguroi se partia që ai përfaqëson do respektojë ligjin dhe Kushtetutën.





