· Skandali / Ambasadori Tepelena dhe kryebashkiaku belg i Eterbek-ut De Volf e konsiderojnë “Valbania”-n si “amalgamë të pabazë dhe të papranueshme”
DURRËS, 11 qershor 2013 – Të paaftë ka dhe në arsimin publik belg,kështu një mësues gjeografie në gjimnaz holandisht-folës në afërsi të Brukselit ka bërë një “turli”, duke e quajtur krahinën e Valonisë në Belgjikë “Valbani-Eno” (Wallbanie – Hainaut).
Fill pas bërjes publike të një amalgame, duke gatuar “turlinë” Valoni-Shqipëri (Wallbanie), që ka ndodhur në një shkollë të qytetit të Eterbek-ut (Etterbeek), një nga 19 bashkitë dhe komunat të rajonin të Brukselit në Belgjikë, ambasadori shqiptar u takua me kryetarin e bashkisë Vincent De Volf (Wolf), njofton shtypi belg.
Kryetari i bashkisë së Eterbek-ut Vincent De Volf dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ilir Tepelena, shprehën keqardhjen gjatë një takimi për amalgamën që krijoi në mësim një mësues gjeografie i shkollës së mesme holandeze të komunitetit flamand “Koninklijk Atheneum Etterbeek”.
Tepelena është shprehur “tejet i emocionuar për faktin se gjatë mësimdhënies pati një stigmatizim për vendin dhe komunitetin që ai përfaqëson”, citojnë gazetat frëngjisht-e-holandisht-folëse të Belgjikës.
Mediet përmendin faktin se mësuesi i shkollës holandisht-folëse kishte rivizatuar hartën e jugut të Belgjikës, duke e ndarë në tri zona: Valifornia (Wallifornie -nga Brukseli në Arlon), Valabama (Wallabama – Ardenet belge) dhe Valbania (Wallbanie – Eno (Hainaut) dhe “rajone katastrofike” nga mbyllja e industrive).
Ambasadori i Republikës së Shqipërisë tha se shumë qytetarë shqiptarë kishin kontaktuar ambasadën për të shprehur pakënaqësinë e tyre.
Të dy njëzëri, Tepelena dhe De Volf-i, shprehën keqardhjen “për një amalgamë, të pabazë ku një vend si Shqipëria paraqitet pjesë e rajonit valon, dhe krejtësisht të papranueshme në kuadrin e një arsimi publik / zyrtar”,
Ambasadori shqiptar planifikon të vizitojë shkollën në fjalë në fillim të shtatorit dhe të propozojë binjakëzim me shkollë shqiptare.
Nga ana e tij, Vincent De Volf-i bëri të ditur se nga bashkia janë njoftuar autoritetet e arsimit publik në gjuhën holandeze në Bruksel dhe Ministri flamand i Arsimit, me anë të një letre që dënon “amalgamën që çalon” të formuluar nga mësuesi i gjeografisë.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





