TIRANE, 11 qershor 2013 – Këtë herë erdhi si Melinda Strit në komedinë “Dikush i famshëm”, e cila po shfaqet si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Ema Andrea këtë herë është protagoniste në një prej komedive që është vënë në jo pak skena të botës, dhe nën petkat e Melindës së bashku me të tjerë emra të talentuar të teatrit sjell në skenë “Dikush i famshëm”.
Gjithmonë e angazhuar pranë teatrit, aktorja Ema Andrea ka treguar se mbetet një emër i pëlqyer për publikun. Këtë herë erdhi si Melinda Strit në komedinë “Dikush i famshëm”, e cila po shfaqet si premierë në skenën e Teatrit Kombëtar. Edhe këtë herë aktorja mori jo pak vlerësime, duke shënuar kështu një tjetër sukses në jetën e saj si aktore. Gjatë këtij sezoni artistik në teatër aktorja Ema Andrea nuk mungoi dhe në premierën e shfaqjes “Edipi Mbret”, një tjetër angazhim artistik që e solli sërish aktoren e talentuar para publikut. Aktore në teatër dhe pedagoge në Universitetin e Arteve, sot Ema Andrea ka një karrierë që i ka falur plot momente të bukura, por ndërsa flet për teatrin aktorja shprehet se gjithmonë i ka pëlqyer komeditë. Këtë herë ajo është protagoniste në një prej komedive që është vënë në jo pak skena të botës, dhe nën petkat e Melindës së bashku me të tjerë emra të talentuar të teatrit sjell në skenë “Dikush i famshëm”.
Për këtë vepër aktorja Andrea ka jo pak vlerësim, dhe thotë se në këtë komedi ka qenë një punë ashtu si dhe ajo e kishte pritur, që ka brenda krijimtarinë dhe shpirtin e argëtimit. Në intervistën dhënë për gazetën, aktorja e njohur Ema Andrea tregon se gjithmonë i ka pëlqyer komedia elegante, jo banalitetet dhe dramat ekstreme. Sipas saj, në të dyja rastet të gjesh fillin e hollë të elegancës, të profesionalizmit. Në jetën e saj artistike, Ema Andrea është një nga aktoret ku suksesi i saj qëndron në të qenit ndryshe nga të tjerët. Pëlqehet për mënyrën sesi interpreton dhe sjell në skenë personazhin. Por çfarë ndodh me Melindën në këtë vepër teatrore dhe të veçantat e këtij personazhi, aktorja Ema Andrea na i zbulon në vijim të kësaj interviste.
-Regjisorja Rozi Kostani ju rikthen sërish në skenën teatrore. Më herët ju keni qenë bashkë në skenë si aktore. Si erdhi ky bashkëpunim këtë herë për veprën e Douglas M. Larson?
Është hera e parë që unë bashkëpunoj si regjisore me Rozi Kostanin. Ky bashkëpunim erdhi që pas shfaqjes “Edipi Mbret”. Ne respektivisht i kemi ndjekur punët e njëra-tjetrës. Unë i kam parë Rozit regjinë, dhe më pëlqen që është aktive në skenë. Unë lexova komedinë dhe më tërhoqi shumë, veç kësaj unë kisha qejf të luaja një komedi.
-Thatë kishit qejf të luanit një komedi në teatër, por duket se komeditë janë pak të rralla në jetën tuaj si aktore?
Vërtetë janë pak të rralla komeditë në jetën time si aktore, dhe më herët kam lozur një komedi të Davit Mamet. Unë nuk e di pse krijoj idenë që jam vetëm aktore dramatike, por mua më pëlqen shumë komedia. Në këtë komedi ka qenë një punë ashtu si dhe e prisja, që ka brenda krijimtarinë dhe shpirtin e argëtimit.
-“Dikush i famshëm” ju vesh këtë herë si personazhi i Melinda Strit, e cila ka përfunduar në burg se ka vrarë aktorët. Çfarë sjell ky rol në galerinë tuaj të personazheve?
Melinda është një aktore, më ka ngjitur si rol sepse është pikërisht ajo që unë nuk do të doja që të ishte një person. Dhe kur kam qenë në skenë duke bërë tekstin, u thosha nganjëherë si nuk e vrisni ju këtë person. Melinda nuk është e keqe, por duhet të kemi parasysh njerëzit kur fillojnë dhe delirojnë dhe nuk respektojnë asnjë qenie tjetër. Në këtë sens, është një personazh shumë kompleks. Është një lojë që ajo bën, ajo luan të qenit VIP, e rëndësishme, përfiton deri në fyerje nga kjo gjë. Dhe unë jam përpjekur bashkë me Rozin që ta çoj Melindën deri këtu, në delirin ekstrem të madhështisë, ku fyen personat dhe luan me ndjenjat e njerëzve që e adhurojnë, por që ka pasion vetëm skenën. Nuk arratiset, sepse ajo bën detyrën e saj si aktore gjatë shfaqjes që bëjnë të burgosurat, ndërsa të tjerat mund të ikin gjatë shfaqjes Melinda këtë nuk mund ta bëjë. Mund të gjesh një mijë arsye pse Melinda i ka vrarë aktorët në skenë, por gjithsesi është një realitet i ndërtuar vetëm për skenën, pasi nuk mund të ndodhi që një aktor mund të vrasë të tjerët. Ndoshta Melinda është një nga ato njerëz që e çon detyrën ekstremisht deri në fund, deri në psikopati. Por duke qenë se është personazh komik, i futur brenda një komedie, drama saj qëndron pikërisht këtu, që është një personazh i vetmuar që mund të kapet vetëm pas skenës dhe pas lavdisë, sepse nuk ka gjë tjetër në këtë botë. Dhe ky është pikërisht prototipi i aktorit që mua nuk më pëlqen, prandaj më pëlqen roli. Më herët kam lozur role të një njeriu që ka bërë krim, por jo në këto përmasa.
-Ky rol në komedi thatë që ju ka pëlqyer, ka të veçantat e tij, por ju ku jeni ndjerë më mirë në dramë apo komedi?
Tek të dyja jam ndjerë mirë. Është një lloj tjetër procesi drama dhe tjetër është komedia. Të dyja të lodhin njëlloj. Mua më pëlqen komedia elegante, nuk më pëlqejnë banalitetet, nuk më pëlqejnë dramat ekstreme. Në të dyja rastet të gjesh fillin e hollë të elegancës, të profesionalizmit.
-Ema Andrea sot është një nga aktoret që publiku e duartroket jo pak për atë çfarë sjell në skenë. Në çdo vepër ku ju jeni, duket se ai vrapon për t’ju parë në skenë?
Unë mund të them se çfarë jam përpjekur ti jap publikut. Nuk jam dorëzuar në rrugën time drejt një hapësire artistike gjithmonë në kërkim. Nuk jam dorëzuar dhe kam vazhduar dhe të jem një person që nuk i kam tradhtuar idetë e mia dhe në mënyrën e të jetuarit. Jam përpjekur që të ngrihem edhe në jetë në nivelin e artit, dhe të mos e ul artin në nivelin tim kur jam në skenë. Unë këtë përpiqem të bëj në jetën time, dhe kjo ndoshta u ka pëlqyer dhe njerëzve.
-Ndryshe nga artistë të tjerë, në natyrën tuaj jeni shumë më e lirshme në komunikim?
E para kjo ndodh sepse unë jam vetvetja. E dyta, unë nuk e kam kërkuar ndonjëherë famën dhe nëse ka pasur disa gjëra profesionale artistike për të ndarë edhe këto kanë shkuar tek publiku. Atëherë pse mos ti ndaj, dhe në këtë sens jam vetvetja. Kurrë nuk përpiqem të luaj një figurë që nuk jam unë për hir të të qenit artiste, figurë publike. Shqipëria është e ndërtuar me varësira dhe me njerëz që duan të jenë të varur. Unë jam bërë publike prej aftësive të mia, prej profesionit, prej asaj që kam punuar. Një profesoreshë e teatrit botëror Stella Adler thotë: “Dikush mund të ta japi famën, dhe ky dikush mund të jetë menaxher, politikan, drejtor, por kënaqësinë e profesionit asnjëherë nuk mund të ta japi, dhe ata që ta japin suksesin, si ta japin ta heqin”. Por kur nuk ke më sukses çfarë të mbetet? Ndërsa talenti i suksesshëm apo i pasuksesshëm, dashurinë për profesionin dhe vlerat e tua profesionale i ke, pavarësisht se kush ta hap derën. Në rastin tim unë kam lindur e pavarur dhe kjo shpresoj do të vijojë deri në fund të jetës. Por besoj sidomos në Shqipëri është detyrë të rezistosh. Të mos varesh me motive banale, të bësh artin sipas meje me motive banale, sepse mund të bësh një profesion tjetër.
-Kur flitet vetëm për votimet ju sillni një komedi në teatër, ju vetë si ndiheni në këtë kohë dhe a ka diçka që ju shqetëson?
Unë e kam fikur televizorin prej muajsh. I dëgjoj lajmet, më ka ardhur keq për çfarë ka ndodhur në Stamboll, Siri, më vjen keq për aksidentet automobilistike, kushtet e këqija ku jetojnë njerëzit, ka shumë drama sociale që më shqetësojnë, por nuk dëgjoj lajme për politikën. Më shqetëson shumë jeta sociale, por aktorët që luajnë politikën janë jashtë interesave të mia. Për mua ajo që bëjnë politikanët është një komedi e dalë mode. Nuk më bën as për të qeshur, as për qarë.
-Jemi në muajin qershor, si do të vijojë ky sezon për ju, punë, pushime?
Jam duke u përpjekur që të kem një korrik të ngjeshur me punë, ose qershor. Më pas në gusht do të bëj pushime.
/Intervistoi: Julia Vrapi Sot.com.al/





