–         Ku ka rënë tërmeti i mesnatës, në lindje apo në jug të qytetit të Fierit

TIRANË, 11 qershor 2013 – E habitshme, por vërtet që në Universitetin Politeknik të Tiranës nuk dinë anët e horizontit, madje, këtë e vërtetojnë me shkrim.

Në ngjarjet sizmike që boton departamenti i sizmologjisë i Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, “njësi kombëtare kërkimore  shkencore që vepron nën ombrellën e Universitetit Politeknik të Tiranës”, është shënuar dhe një tërmet i lehtë më 10 qershor 2013 ora 22:32:27 (sipas GMT, ora 24:32:27 sipas kohës së Shqipërisë, datë 11 qershor), me magnitudë M=3.1, në largësi në vijë ajrore 2 km lindje të qytetit tëFierit. Koordinatat 40.71°N, 19.58°E. Thellësia: 11 km.

“Dyrrah” boton faksimilen e sajtit të institutit të Politeknikut, ku departamenti i sizmologjisë ka vënë etiketën që vendndodhja është 2 km në lindje të Fierit, matur nga qendra.

Internautët mund të vërejnë në hartë se, sipas koordinatave, nuk jemi në lindje, por në jug të qytetit të Fierit, përballë varrezave dhe selisë së Albpetrolit (shih shigjetën e gjelbër në figurën 2), në rrugën që çon në Roskovec dhe Patos-Ballsh.

Kjo shkrehje në punë e akademikëve vërehet dhe në faktin se departamenti i sizmologjisë raporton vetëm një lëkundje, ndërkohë që EMSC – Qendra Evropiane Mesdhetare Sizmologjike (shih figurën 3 në fund) jep tre të tilla, përkatësisht, sipas GMT:

–         datë 10 qershor, ora 22:32 (koha e Shqipërisë 0:32, datë 11 qershor 2013), magnitudë 3.2, thellësi 12 km;

–         datë 10 qershor, ora 23:31 (koha e Shqipërisë 1:31 datë 11 qershor), magnitudë 2.5, thellësi 4 km;

–         datë 10 qershor, ora 23:40 (koha e Shqipërisë 1:40 datë 11 qershor), magnitudë 2.7, thellësi 6 km.

Nga ky parashtrim del më se e qartë se ka moskokëçarje ndaj rreziqeve natyrore, sikurse janë tërmetet, edhe nga qarqet akademike.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/