Igli Cara: Infrastruktura rrugore dhe kanalizimet, premtimi për zonën
DURRES, 11 qershor 2013 – Igli Cara, i dyti në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike për Durrësin, ka zhvilluar takimin e tij të radhës, në lagjen 15.
I shoqëruar nga dhjetra banorë, kandidati ka ecur nëpër rrugicat e brendëshme të zonës, duke ndaluar në disa familje e duke u njohur më nga afër me problemet e tyre.
Sipas zëdhënëses së selisë blu, kandidati për një mandat të dytë si deputet nën siglën e Partisë Demokratike, Igli Cara, u ka folur banorëve për urbanizimin e zonës ku ata banojnë, përfundimin e rrjetit të kanalizimeve dhe procesin e legalizimeve të banesave.
Duke u ndalur më shumë në cështjen e infrastrukturës së rrugëve të brendëshme të zonës, duke ju përgjigjur edhe shqetësimit të banorëve, Igli Cara u tha atyre se mandati i tretë qeverisës i Partisë Demokratike, do të përkthehet në më shumë rrugë, sepse, ashtu sikurse Cara theksoi, rrugët janë zhvillim.
“Shumë prej jush më thanë se një ndër problemet kryesore të zonës janë rrugët e brendëshme, të cilat bëhën pengesë shumë e madhe për lëvizjen tuaj. Unë premtoj sot para jush, se në shtator, nuk do të lejojmë më që drejtuesit e pushtetit vendor të tregohen arrogantë dhe të lënë në harresë lagjet e brendëshme të qytetit, duke u krijuar vështirësi nga më të ndryshmet për banorët. Të jeni të bindur që qeveria, gjatë këtyre viteve, i ka dhënë bashkisë së Durrësit, miliona grantë të pakushtëzuara, me qëllim që kjo e fundit, të investonte në qytet, në shërbime publike dhe përmirësim infrastrukture, për të rritur cilësinë tuaj të jetës. Ndërkohë, jeni dëshmitarë që asgjë nuk ka ndryshuar. Faktet i keni para syve, në këto rrugë të pashtruara ecni çdo ditë. Pas muajit shtator, situata do të ndryshojë, bashkia e Durrësit nuk do të ketë më grante të pakushtëzuara, por do të ketë të përcaktuar çdo investim që duhet të realizojë me grantet e qeverisë”, u tha Cara, banorëve të lagjes 15.
Kandidati për deputet, njëherazi edhe numri një i Partisë Demokratike të degës së Durrësit, tha se shumë shpejt do të përfundonte edhe procesi i sistemimit të kanalizimeve, një tjetër problem madhor për banorët e zonës.





