TIRANË, 10 qershor 2013 – Pas dekretimit nga Presidenti i Republikës, gjashtë prokurorë të rinj janë prezantuar të hënën nga Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla.

Emërimet e reja synojnë shtimin e aftësive hetuese dhe mbikqyrëse të organit të akuzës shqiptare.

Prokurorët Madrid Kullolli, Altin Binaj, Adnan Xholi, Rovena Gashi, Alma Muça dhe Kudusi Shahu janë bërë pjesë e stafit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Emërimet e tyre në sektorë të rëndësishëm të organit qendror të akuzës shqiptare synojnë rritjen e kapaciteteve hetuese dhe kontrolluese, veçanërisht në drejtim të luftës kundër korrupsionit, dukurisë së kthyer në gangrenë në të gjithë sektorin publik të vendit.  

Altin Binaj, ish prokurori i rrethit të Durrësit që ka qëndruar në dispozicion që nga momenti i lënies së detyrës në Durrës është pjesë e stafit të Prokurorisë së Përgjithshme, ndërsa Madrid Kullolli një tjetër lëvizje nga Durrësi në drejtim të Tiranës është emëruar në krye të Sektorit kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, strukturë kjo që do të ketë varësi të drejtpërdrejtë nga Prokurori i Përgjithshëm, i cili e ka prezantuar si prioritet të mandatit të tij luftën kundër korrupsionit.

Kullolli drejtonte strukturën Task Forcë në Prokurorinë e Durrësit dhe gjatë mbajtjes së kësaj detyre janë regjistruar disa raste të goditjes së zyrtarëve të akuzuar për mitmarrje dhe shpërdorim të detyrës.

Sipas kryeprokurorit Llalla, këto lëvizje janë të nevojshme për rifreskimin e strukturave të rëndësishme në Prokurorinë e Përgjithshme pasi i forcojnë ato.

Kështu, prokuror Adnan Xholi do të drejtojë Drejtorinë e Kontrollit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale, ndërsa Rovena Gashi do të drejtojë Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë. 

Arqile Koça, i cili deri tani kishte ushtruar funksionet në Drejtorinë e Hetimit dhe Ndjekjes Penale, që nga sot do të drejtojë Drejtorinë Gjyqësore dhe atë të Mbikqyrjes së Vendimeve Penale dhe Vuajtjes së Dënimit.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/