FIER, 10 qershor  2013 – Është rrahur dhe goditur me sende të forta kandidati për deputet i Fryma e Re Demokratike (FRD) në qytetin e Fierit.

Policia bën të ditur se shtetasi Mithat Hoxha është rrahur me mjete të forta nga 3 persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur te dielën në Roskovec, rreth orës 23:00.

Burime nga policia konfirmojnë për mediet se Mithat Hoxha është goditur me mjete të forta dhe se është dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të qytetit të Fierit.

Ndërsa policia bën me dije se persona ende të paidentifikuar kanë dhunuar deri në gjendje të rëndë zotin Hoxha, bashkëshortja e këtij të fundit pretendon se ngjarja ka motive politike.

Ajo shprehet se i shoqi që në momentin që po kandidon si deputet në këtë zonë ka marrë vazhdimisht kërcënime për jetën.

 “E kanë kërcënuar në shtëpi para dy javëve, na kanë ardhur në shtëpi. Më thanë që do ta vrasin mos të vijë më në fshat, punë partie. Kandidonte në Roskovec”, tha bashkëshortja e Hoxhës me lot në sy.

Ndërsa Shezai Çobaj, kryesuesi i listës së FRD në Fier pohon se Mithat Hoxha i ka njohur autorët. “ I pa te tre personat, i njeh por ai nuk flet dot për shkak të gjendjes shëndetësore”, tha Çobaj.

Sipas tij, Mithat Hoxha ka marrë kërcënime nëpërmjet telefonit madje ka bërë dhe denoncim në polici rreth kërcënimeve.

Pritet që hetimet e policisë të zbardhin këtë ngjarje që shënohet në mes të fushatës elektorale dhe ka si të lënduar një prej kandidatëve politikë për deputetë. 

Kryetari i FRD, Bamir Topi denoncoi sot publikisht dhunën e ushtruar ndaj Mit’hat Hoxhës, kandidat i FRD në Roskovec.

“Dëshiroj të denoncoj publikisht një akt të rëndë kriminal që ka ndodhur mbrëmë në Roskosvec. Nuk dua të vë gishtin tek askush, tek asnjë parti, se ajo që ka rëndësi është roli ndaj institucioneve të shtetit. Kam kritikë të ashpër ndaj policisë. Se qysh nga momenti i ndodhjes së këtij akti të rëndë nuk kanë marrë mundimin të jenë prezentë dhe aq më shumë nga të dhënat që kemi nda denoncimet e herë pas hershme të z Hoxha, Policia e Shtetit ka për detyrë të mbrojë jetën”.

FRD kërkon nga Policia e Shtetit të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vendosur përpara drejtësisë personat përgjegjës.

Rama: Lajm i hidhur dhuna ndaj kandidatit te FRD ne Roskovec

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama reagoi sot në lidhje me incidentin e shënuar në Roskovec, ku si pasojë e dhunës fizike nga persona ende të paidentifikuar mbeti i plagosur rëndë kandidati i FRD-së Mit’hat Hoxha.

“Lajm i hidhur dhuna ndaj kandidatit të FRD në Roskovec! Aty operojnë kriminelë të ushqyer e të ndërsyer nga Sokoli i Saliut! Sali distancohu!”, shkruan Rama në “Twitter”.

OKETA: I takon organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen 

Nënkryetari i FRD-së Gazmend Oketa takoi në spital kandidatin e dhunuar Mit'hat Hoxha. Ai u bëri apel autoriteteve që të zbardhin sa më parë ngjarjen dhe të vendosin përpara drejtësisë autorët. 

“Unë nuk mund ta politizoj ngjarjen. Këto ngjarje të përsëritura në fushata zgjedhore. I takon organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen”- deklaroi Oketa.