Igli Cara: Rama mbajti peng statusin, Shqipëria humbi 150 mln euro investime vjetore

DURRES, 10 qershor 2013 – Takimet e radhës të kandidatit për deputet të Partisë Demokratike për Durrësin, Igli Cara, kanë vijuar me banorët e lagjes 16.

Gjatë një bashkëbisedimi me ta, Cara ju ka renditur banorëve një sërë arritjesh në fusha të ndryshme, të qeverisë Berisha, duke ju thënë gjithashtu, se kjo është një kontratë me qytetarët, e cila do të vazhdojë edhe për katër vite të ardhshme.

Duke e quajtur alternativën e Ramës dhe të socialistëve, si alternativën e bllokimit, Igli Cara tha përballë banorëve të lagjes 16, se e majta ishte ajo e cila hoqi mirqenien nga jeta e shqiptarëve, duke u bërë factor në bllokimin e statusit të vendit kandidat, një status i cili do të përkthehej në investime dhe rritje të cilësisë së jetës.

Më tej, i pyetur edhe nga vetë banorët mbi punësimin, kandidati i cili renditet i dyti në listën e Partisë Demokratike,  tha se PD ka një projekt konkret për të realizuar premtimin e 250 mijë vendeve të reja të punës, përmes nxitjes së biznesit dhe krijimin e klimës së favorshme për investitorët e huaj, ndërkohë që kundërshtari i tyre politik, jo vetëm që mashtron me shifrat e vendeve të reja të punës që do të hapë, por as nuk ka një plan të deklaruar.