DURRES, 10 qershor 2013 – Qyteti i cili gjatë sezonit veror mbipopullohet nga automjetet po shkon drejt një kolapsi urban.

Parkimet në qytet janë kthyer në elementin më shqetësues, ndoshta dhe një nga tmerret e përditshëm për të gjithë drejtuesit e automjeteve.

Mjafton një vëzhgim i shpejtë dhe mund të shohësh  dy ose tre parkime në një korsi, duke vështirësuar akoma më shumë qarkullimin. 

Rrugët më problematike përsa i përket qarkullimit, e cila vjen edhe si pasojë e mungesës së parkimeve, mbeten "Alesandër Goga", bulevardi "Dyrrah" si dhe rruga që të çon në zonën e Currilave.

Pikërisht në këto rrugë është vështirë të gjendesh parkim për automjetet, çka bën që drejtuesit të mos hezitojnë ti parkojnë mbi trotuar,vend në të cilin duhet të kalojnë këmbësoret,  parkim të dyfishte,apo edhe në vendet ku thuhet qartë se është i ndaluar parkimi.

Kjo situatë ka bërë që drejtuesit e automjeteve që  parkojnë vend e pavend, të përballen me masa të shumta administrative nga ana e policisë së qarkullimit, duke u penalizuar. 

Përgjatë dy mandateve bashkia e Durrësit lançoi projketin për ndërtimin e parkingjeve të nëndheshme, me kapacitet 1 mijë vende, i cili do të ndërtohej në sheshin përpara stacionit të trenit. 

Por, edhe këtë herë premtimi mbeti vetëm në fjalë, pasi  sot në qytetin bregdetar të Durrësit është e vështirë që të gjendet qoftë edhe një vend i vetëm parkimi.

/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/