· Një 60-vjeçar krijoi piramidë financiare, me anë të së cilës për 12 vjet ka mashtruar 40 persona, duke u zhvatur gjithsej 7 milionë euro
PARIS, 10 qershor 2013 –“Sude”, “Gjallica”, “VEFA”, “Populli”, të gjithë piramidat e vitit 1996 “klonohen” në Francë, por edhe me sfond seksual; kështu në Paris u zhvillua një proces gjyqësor i bujshëm, ku shfaqej një aventurier që zhvaste pensionistët për “dolce vita”.
Mediet pariziane i kanë kushtuar vëmendje rastit të një mashtruesi 60-vjeçar, ish-punonjës banke, që u dënua me tre vjet burg, plus dy vjet me kusht për krijim piramide financiare dhe mashtrim.
Për 13 vjet Fransua Zhibió (François Gibiot) ka mashtruar 40 persona, duke u zhvatur gjithsej 7 milionë euro.
Të ardhurat “Vehbi Alimuça” francez i harxhonte për jetë luksoze dhe femra shqiptare.
Nga viti 1996 deri në 2009 ky punonjës banke (pastaj drejtor agjencie) zbrazi xhepat e klientëve të vet, duke u ofruar interes 15 për qind në vit, fitim për depozitat i padëgjuar në Francë.
Midis investuesve të mashtruar të piramidës franceze “Sude” kishte dentistë, pensionistë dhe madje edhe një ish-drejtor juridik korporate siguracionesh.
Zhibio-ja nuk ka mohuar asgjë.
Pagoi kredinë, që e mori me bashkëshorten për të blerë shtëpi në bregdet.
Fillimisht zuri një dashnore, pastaj të dytën (30 vjet më të re në moshë), me të cilën madje krijoi familje paralele.
Dashnores së parë Zhibio-ja i bleu biznes, të dytës apartament dhe restorant, si dhe një shtëpizë jashtë Parisit.
Është interesante se mashtruesi francez kishte dobësi për femrat nga Shqipëria.
Dashnorja e tij e parë u bë një prostitutë shqiptare, së cilës Zhibio-ja i dha 400 mijë euro “për fillimin e një jete të re”.
Me mikeshën e e tij të dytë nga Shqipëria, u njoh në Paris, ku ajo kishte ardhur … për muaj mjalti.
Dashnoren e re shqiptare Zhibio-ja e siguroi se gruaja e tij e ligjshme kishte vdekur nga kanceri, kurse ai vet hynte në listën e 50 njerëzve më të pasur të Francës.
Ndërkohë, gruaja e mashtruesit ishte shëndosh e mirë, po rriste dhe edukonte tre fëmijë dhe u nda nga Zhibio-ja vetëm në vitin 2008.
Gjyqi i “Gjallicës” francez zgjati tri ditë, ku Zhibio-ja deklaroi se 7 milionë euro i kishte prishur për të bërë qejf.
Prokurori kërkoi për të pandehurin katër vjet në burg.
Gjykata vendosi ndryshe, 3 vite burg, plus dy me kusht.
Zhibio-ja detyrohet gjithashtu t’u kthejë paratë klientëve të mashtruar.
I pandehuri tha se vendimi ishte “i merituar dhe normal”.
Tërheq vëmendjen takti francez: mediet nuk kanë botuar asnjë foto të mashtruesit dhe dashnoreve shqiptare; për ilustrim kishte foto të peshore së drejtësisë, fasada gjykatash, kartëmonedha.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





