DURRES, 9 qershor 2013 – Ekipi durrsak i Rilindjes ka zhvilluar një takim entuziast në një shesh të tejmbushur me banorët e zonës së plazhit në Durrës.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, në takim merrnin pjesë deputetja Klodiana Spahiu, kryebashkiaku i Durrësit dhe njëkohësisht anëtari i kryesisë së PSSH Vangjush Dako, kryetari i PS së qytetit Durrës Alfred Mullaraj si dhe kryetarja e forumit të gruas socialiste të rrethit të Durrësit Alda Kushi e cila ka hapur takimin duke përshëndetur në emër të gruas socialiste dhe duke shprehur bindjen në fitoren e thellë të 23 qershorit ku i jepet fund rrënimit të Shqipërisë dhe me programin e Rilindjes fillon rimëkëmbja e vendit.

Në takim ka përshëndetur kryebashkiaku Vangjush Dako i cili ka deklaruar se Bashkia e Durrësit është hasur me bllokimin total të qeverisë që e pengon në çdo çast në punën e saj. Një fakt për këtë sipas Dakos është pikërisht kanali i ujërave të larta që përshkon plazhin nga Ura e Dajlanit deri në Plepa.

Projekti i Bashkisë së Durrësit është disiplinimi me tuba dhe mbyllja e këtij kanali dhe ndërtimi mbi të e një rruge me të gjithë parametrat.

Ky projekt sipas Dakos kërkonte një financim të madh që nuk e përballonte bashkia ndaj Bashkia e Durrësit ja ka paraqitur projektin për miratim qeverisë e cila nuk ka dashur ta miratojë atë për 5 vjet me rradhë thjesht për arsye politike duke ndëshkuar qytetarët e Durrësit. Pas 23 qershorit – deklaroi kryebashkiaku Dako – qeveria me kryeministër Edi Ramën do të zhbllokojë këtë situatë aktuale tepër të rëndë dhe Bashkia e Durrësit do të realizojë jo vetëm këtë projekt në plazhin e Durrësit por edhe shumë investime të tjera në infrastrukturë pasi me programin e Rilindjes dhe me qeverinë socialiste do të rilindë Durrësi dhe e gjithë Shqipëria.

Në fjalën e saj deputetja Spahiu ka theksuar se vetëm me votën për Edi Ramën kryeministër dhe për programin e Rilindjes vendi do të rimëkmëbet dhe ekonomia do të rilindë.

Deputetja Klodiana Spahiu deklaroi se të gjithë bashkë duhet të votojmë në 23 qershor për PS dhe numrin 29 për të ardhmen e Durrësit dhe të gjithë vendit dhe për tu shkëputur njëherë e mirë nga kjo qeveri që ka rrënuar shqiptarët pasi vetëm me programin e Rilindjes mund të rilindë i gjithë vendi dhe Shqipëria të futet në rrugën e zhvillimit dhe të vrapojë drejt ëndrrës evropiane.

Banorët e plazhit me thirrjet e tyre entuziaste kanë shprehur bindjen në fitoren e thellë të së majtës në 23 qershor ditë në të cilën do të nisë edhe rilindja e vendit me qeverinë socialiste me Edi Ramën kryemnistër.