KUKES, 9 qershor 2013 – Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi ka ndodhur mbrëmjen e sotme në dalje të Kukësit.
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se një makinë, tip Benz me targa të Kukësit, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një humnerë, në afërsi të fshatit Kolsh.
Sipas dëshmitarëve, në makinë udhëtonin vetëm dy persona, njëri prej të cilëve ka gjetur vdekjen e menjëhershme ndërsa tjetri ka marrë plagë të rënda.
Momentalisht mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin e makinës.
Mësohet se viktima është identifikuar si Edison Ollmani 22 vjeç, ndërsa i plagosuri Xhevat Lleshi, 18 vjeç, është transportuar menjëherë në spital, prej ku mësohet se është në gjendje kritike dhe do të niset me helikopter drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë.
Policia e Kukësit po punon për ta zbardhur ngjarjen e rëndë.
Tjetër aksident me vdekje në aksin rrugor Lezhë-Shkodër.
Një tjetër aksident ka ndodhur sot në mbrëmje në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku një person u përplas për vdekje nga një automjet.
Mësohet se viktima është shtetasi Bashkim Shahini, i cili është përplasur nga një makinë në afërsi të fshatit Mab.
Policia po punon për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur.





