Durrës, 9 qershor 2013 – Konfliktet e vazhdueshme mes një çifti të divorcuar që ishin të ndarë prej më shumë se tre vitesh, është bërë shkas për një ngjarje të rëndë.

36 vjeçari Gazment Kiptiu, i ka vënë flakën apartamentit të ish-bashkëshortes së tij, e cila jetonte me nënën e saj pas divorcit.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 18 në Durrës, ndërsa në flakët e zjarrit është përfshirë banesa e ish-bashkëshortes, e cila ndodhet në katin e parë të një pallati pesë katësh.

Mësohet se në momentin e rënies së zjarrit në banesë ndodhej nëna e ish-bashkëshortes së 36 vjeçarit, e cila famirësisht nuk ka pësuar asnjë lëndim.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikëset, të cilat janë lajmëruar nga fqinjët duke bërë të mundur lokalizimin e flakëve.

Mësohet se si pasojë e rënies së zjarrit janë shkaktuar dëme të shumta materiale.

Nga ana e policisë po punohet për sqarimin e rrethanave dhe për arrestimin e autorit, babain e tre fëmijëve i cili mësohet të jetë larguar nga vendngjarja menjëherë pas zjarrvënies.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/