Fitorja e minutës së fundit ndaj Qipros, i ka bërë zviceranët të ruajnë vendin e parë në grup duke thelluar për më tepër në katër pikë diferencën me ndjekësin më të afërt Shqipërinë. Por katër ndeshje nga përfundimi, dhe helvetët ashtu si ne bëjnë llogaritë për një vend në Botërorin, Brazil 2014 duke ju trembur pikërisht kuqezinjve të De Biasit, të cilët i etiketojnë si rivalët kryesorë në garën për vendin e parë.

Në analizën e gazetës më të madhe zvicerane, Blich, teksa bëhen llogaritë me ndeshjet e mbetura, shkruhet se ndjekësi më i rrezikshëm për helvetët është Shqipëria, e cila sipas zviceranëve është e vetmja skuadër në garë për kreun e grupit E, duke qënë se Norvegjia është e distancuar tashmë gjashtë pikë. E përditshmja zvicerane thekson gjithashtu se Zvicra ndeshjen e parafundit në grup e luan pikërisht në Tiranë dhe kjo do të jetë një sfidë jo e vogël për helvetët, por ngushëllohet me faktin që kuqezinjtë e De Biasit, do të luajnë tre sfida në transfertë, dhe kjo mund t’i favorizojë ata në garën për vendin e parë, që do t’i siguronte dhe biletën direkt për në Brazil.