DURRES, 9 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë të PS-së në Durrës, Ilir Beqaj dhe Klodiana Spahiu kanë zhvilluar ditën e sotme një takim me banorë të dëbuar nga shtëpitë e ish-pronarëve.

Sipas zëdhënësit të selisë rozë, në këtë takim merrte pjesë edhe kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako i cili deklaroi se situata që po përjetojnë këta banorë është vërtet e rëndë.

Në fjalën e tij Dako u shpreh se është e drejtë që pronarët të marrin shtëpitë e tyre por më parë duhej zgjidhur strehimi i këtyre banorëve gjë që nuk e bënte akti normativ i qeverisë.

Kryebashkiaku Dako deklaroi se këta banorë të dëbuar nga shtëpitë e ish pronarëve do të jenë prioritet për tu strehuar në banesat sociale me qera të ulët që ndërton Bashkia e Durrësit.

Nga ana e tij Ilir Beqaj deklaroi se në rradhë të parë shtëpitë duhet të quhen jo të ish-pronarëve por të pronarëve dhe tashmë problemi që ka lindur pas dëbimit të banorëve nga këto shtëpi do të gjejë zgjidhje brenda mandatit të parë të qeverisë me kryeministër Edi Ramën:

“Problemi i banorëve të dëbuar nga këto shtëpi pronarësh do të zgjidhet përfundimisht brenda mandatit të parë të qeverisë me kryeministër Edi Rama. Ne zotohemi se brenda mandatit të parë të gjithë banorët e dëbuar nga shtëpitë e pronarëve do të marrin shtëpi me certifikatë pronësie falas. Këtë problem ne do ta zgjidhim me një ligj të vecantë sipas të cilit shteti do të ofrojë truall ndërtimi për privatët që do të ndërtojnë shtëpi për kategorinë tuaj por edhe për njerëzit e tjerë duke shmangur krijimin e getove dhe duke sjellë mjedis urban normal. Këto troje ndërtimi do të jenë në pëpruthje të plotë me planet urbanistike të qyteteve dhe sic e thashë edhe më lart ky problem i strehimit tuaj do të zgjidhet përfundimisht brenda mandatit të parë të qeverisë socialiste. Programi ynë i Rilindjes është në vetvete një kontratë që ka PS me qytetarët shqiptarë ndaj ky program do të zbatohet plotësisht duke i dhënë zgjidhje shumë problematikave të mprehta dhe duke rilindur vendin”- tha Beqaj.

Pjesëmarrësit në takim kanë dhënë mbështetje të plotë për programin e Rilindjes dhe janë shprehur se qeveria me kryeministër Edi Ramën dhe programi i Rilindjes i PS janë shpresa e vetme për këta banorë.