TIRANE, 9 qershor 2013 – Kryetari i FRD-së Bamir Topi ka vijuar takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 23 Qershorit në zonën e Medresesë në Tiranë, ku janë përqëndruar disa qindra biznese të vogla.
Topi premtoi mbështetjen e forcës politike që drejton ndaj këtyre aktiviteteve tregëtare, ndërsa akuzoi Qeverinë për klientelizëm dhe favorizim të bizneseve që janë afër saj.
“Ato biznese që janë pranë qeverisë nuk paguajnë, ndërsa ato që janë kritike paguajnë dyfish”, u shpreh Topi.
Në vijim kreu i FRD-së theksoi se bllokmenët e rinj shkojnë dhe blejnë jashtë vendit ato që iu duhen, ndërsa kanë lënë në jashtë vëmendjen kushtet në tregjet ku blenë shqiptarët.
“Tregu i Medresesë është një nga më të njohurit në kryeqytet dhe për të duhet treguar një kujdes i veçantë. Por, këtë nuk mund ta dinë bllokmenët e rinj, pasi ata prej kohësh e blejnë gjithçka jashtë vendit dhe nuk vinë të shohin kushtet në këtë treg, apo në tregjet e tjera të periferisë”, tha Topi.
Sipas tij, sot biznesi i vogël nuk ka frymëmarrje, pasi punohet mes një garë të pandershme.
Në këtë kuadër, ai tha se programi i FRD-së për këtë lloj biznesi synon t’i japë fund gjobave abuzive dhe të krijojë lehtësira.
“Çdo zonë e kryeqytetit ka nevojë për një treg publik modern, pavarësisht se është në periferi, për të mos i lënë tregëtarët të shesin në mëshirë të rrugës në lagjet”, u shpreh kreu i FRD-së.





