DURRES, 9 qershor 2013 – Teperaturat e larta kanë bërë që qindra pushues të zgjedhin vijen bregdetare të Durrësit për të kaluar fundjavën. E gjithë vija bregdetare e plazhit publik, është mbipopulluar nga qytetar durrsakë, nga vizitorë të ardhur nga kryeqyteti, rrethe të ndryshme të vendit, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Pushues të ardhur kryesisht nga jashtë vendit kanë vlerësuar natyrën e bukur të bregdetit të Durrësit si dhe kushtet e tjera të nevojshme për të kaluar një fundjavë relaksi.
"Eshtë hera e parë që vij në stinën e verës në qytetin e Durrësit. Më pëlqen shumë plazhi, por edhe qyteti, është me të vërtetë interesant. Ajo ç'ka do të doja të gjeja kur të rikthehem sërish në plazh është patërtia, pasi duhet më shumë kujdes nga ana e higjenës", u shpreh Ardit Mazreku, një pushues i ri nga Prishtina.
Ndërkaq, një tjetër pushues i ardhur nga Kosova, dhe pikërisht Halit Prishtina pohon se e frekuenton rregullisht plazhin e Durrësit gjatë stinës së verës.
"Vij çdo vit në plazhin e Durrësit me familjen. është një vend i përshtatshëm për të kaluar pushimet. Nuk ka më bukur se sa të pushosh në një vend ku flasin të gjithë shqip. Këtu çmimet janë të përballueshme dhe shërbimi nga ana e bizneseve është i mirë. Do të donim pak më shumë pastërti, por shikoj që po punohet dhe shpresoj që kur të rikthehem sërish ta gjejë të pastër plazhin", tha Halit Prishtina, pushuesi nga Kosova.
Plazhi i Durrësit ndër vite mbetet një ndër plazhet më të fekuentuara nga mijëra pushues, të cilët e zgjedhin atë jo vetëm për të kaluar fundjaven por edhe pushimet verore.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





