DURRES, 8 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë të së majtës kanë zhvilluar një takim me studentët e universitetit Aleksandër Moisiu të Durrësit. Pjesëtarët e Rilindjes durrsake Blendi Klosi, Klodiana Spahiu dhe Ilir Beqaj kanë njohur studentët me vizionin e PS-së dhe programin e Rilindjes që do të rilindë edhe arsimin ashtu si fushat e tjera. Takimin e ka hapur Uarda Hoti pedagoge në këtë universitet që deklaroi se programi i Rilindjes është shpresa e vetme për të rimëkmëbur arsimin shqiptar që kalon një sërë problematikash të rënda në këto momente.
Në të njëjtën linjë ka qenë edhe dekani i fakultetit të studimeve profesionale Mehdi Shehu i cili pasi i bëri një pasqyrë të hollësishme probleme të arsimit të lartë në përgjithësi dhe problematikave në universitetin e Durrësit në veçanti theksoi se arsimi ka nevojë për një reformim të thellë që mund të realizohet vetëm nëpërmjet programit të Rilindjes dhe të qeverisë socialiste me kryeministër Edi Ramën. Në takim ka përshëndetur edhe zv/rektori i këtij universiteti Sofokli Garo. Më pas studentët që kanë marrë fjalën kanë shprehur në rradhë të parë shqetësimin e tyre për presionin militantesk të qeverisë mbi studentët si dhe mbi problematikat e tjera që lidhen me arsimin e lartë.
Të gjitha pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre i dhanë përgjigje pjesëtarët e ekipit durrsak të rilindjes që në fillim theksuan se pas 23 qershorit qeveria me Edi Ramën kryeministër do të rilindë arsimin që aktualisht ndodhet në krizë të thellë por gjithashtu do ti japë fund presioneve që ushtron pushteti mbi arsimin si dhe do ti japë fund njeherë e mirë militantizmit politik të shkollës. Më pas pjesëtarët e ekipit durrsak të Rilindjes kanë shpjeguar edhe situatën aktuale në arsimin e lartë si dhe mënyrën si do të rilindë ky sektor në sajë të programit të Rilindjes.
Deputeti Blendi Klosi u shpreh se:
"Pesha e buxhetit për arsimin ndaj shpenzimeve buxhetore vjetore nuk e ka kaluar asnjë vit nivelin e vitit 2005. Shpenzimet publike për arsimin janë dy herë më të ulëta se niveli mesatar i vendeve të OECD. Qeverisja e djathtë ia ka lënë barrën e arsimimit buxheteve familjare. Nxënësit dhe studentët lihen pa asnjë mbështetje përsa i përket këshillimit për vazhdimësinë e studimeve dhe karrierës së tyre. Ato lihen, pa asnjë orientim shtetëror, në duart e universiteteve që për shkak të keqqeverisjes janë përfshirë në një treg universitar, në të cilin, po për shkak të keqqeverisjes, mbizotëron pandershmëria. Pasuria më e çmuar e Shqipërisë, kapitali ynë njerëzor, dëmtohet pa u afirmuar akoma nga keqqeverisja dhe mungesa e vizionit të pushtetit, që ka kthyer sistemin arsimor shqiptar në bazë militantizmi politik dhe shpërblimesh partiake. Për më tepër, propaganda qeveritare për masivizimin e arsimit të lartë dhe teknologjive të informacionit nuk mund të mbulojë nivelin e lartë të analfabetizmit dhe braktisjen e shkollës, prapambetjen e arsimit parauniversitar, dhe burimet e kufizuara për arsimin dhe shkencën. Universitetet publike janë në kufirin e mbijetesës financiare për vazhdimin e aktivitetit, me jetë universitare të zbrazët dhe pre e ndërhyrjeve të përsëritura në legjislacion që dëmtojnë pavarësinë akademike dhe shkencore. Ndërsa, shkollat e larta jo publike në shumë raste kanë mangësi të theksuara kualifikimi e kompetence profesionale të personelit akademik, janë të zhytura në kaos interesash, profilesh, përmasash dhe ofrojnë diploma në pikëpyetje të thellë për kompetencat akademike që përfaqësojnë dhe me vlerë gati të papërfillshme në tregun e punës. Qeverisja Socialiste vlerëson arsimin si sistemin thelbësor në shërbim të fuqizimit të kapitalit njerëzor e përparimit mbarë shoqëror.”
Nga ana e tij Ilir Beqaj u ndal në vizionin e PS dhe programit të saj në lidhje me rilindjen e arsimit të lartë:
“Programi i Rilindjes i cili do të zbatohet nga qeveria me kryeministër Edi Ramën ka një sërë masash zbatimi i të cilave do të sjellë rilindjen e arsimit në tërësi dhe konkretisht për arsimin e lartë ztoimet tona janë: Ngritje e një organizmi të drejtë e të pavarur vlerësimi, akreditimi dhe renditjeje të universiteteve publike dhe private. Zbatim i menjëhershëm i akreditimit dhe renditjes sipas cilësisë dhe rezultateve të studentëve dhe të pedagogëve, për të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë publik dhe privat.Verifikim i vërtetë dhe transparent i cilësisë, kushteve dhe burimeve njerëzore në të gjitha universitetet shqiptare publike apo private. Krijim i një partneriteti të nxitur dhe të mbështetur nga qeveria mes universiteve dhe sipërmarrjes, për të siguruar që universiteti ofron ekspertizë dhepërfshin studentët në një proces që i parapërgatit për futjen në tregun e punës. Sigurim i kualifikimit korrekt dhe transparent i personelit akademik. Ndryshim i skemës së financimit të arsimit të lartë, duke rritur financimet që shkojnë drejt sistemit dhe cilësinë që ai ofron. Asistencë universiteteve publike në ngritjen dhe fuqizimin e qendrave të këshillimit për karrierën. Politika arsimore që i mundësojnë çdo të riu deri në moshën 26 vjeç diplomim në universitet, formim në një profesion ose mundësi sistemimi në një punë.Përmirësim i kushteve të mësimdhënies dhe pagave të personelit akademik, drejt ngushtimit të hendekut me pagat në universitet private. Sigurim i autonomisë së universiteteve deri në njësitë bazë, shoqëruar me rritjen e kapaciteteve menaxhuese të njësive.”
Në takim e ka marrë fjalën edhe deputetja Klodiana Spahiu e cila fillimisht i ka bërë një përmbledhje treguesve aktualë të arsimit që janë katastrofikë si pasojë e keqqeverisjes aktuale.
Spahiu u shpreh qeveria me Edi Ramën kryeministër do të rimëkëmbë totalisht arsimin me një program të përcaktuar qartë dhe reforma në arsim padyshim do të përfshijë edhe arsimin e lartë në një sërë masash që do të bëjnë të mundur rilindjen edhe të arsimit të lartë në Shqipëri.





