GRAMSH 8 qershor 2013 – Rënia e një trungu peme mbi trupin e një 50 vjeçari, ka qenë fatale për jetën e tij.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së shtunës, rreth orës 17:30 në Tumje të Re të qytetit të Gramshit. Gëzim Hoxha, 50 vjeç, ka qenë duke prerë dru në mal.

Aksidentalisht trungu i pemës është shkëputur dhe ka rënë mbi trupin e Hoxhës, duke e zënë poshtë atë.

Si pasojë, ai ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Nga burimet e policisë të qytetit u mësua se 50 vjeçari ishte dhe Kryeplaku i fshatit Tumje e Re.

Po sipas të njëjtave burime, u mësua se trupi i pajetë i tij është gjetur nga familjarët në pyll.

Ata kishin vënë re vonesën e tij dhe kishin dalë ta kërkonin, por e kanë gjetur të vdekur.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, të cilat kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.