DURRËS, 8 qershor 2013 – Stina e verës, që pritet të jetë me temperatura të larta, ka diktuar dhe nevojën e rritjes së kontrollit ndaj produkteve ushqimore.
Në laboratorin rajonal të sigurisë ushqimore të Durrësit po punohet intesivisht për kontrollin e cilësisë së produkteve ushqimore të importuara si dhe atyre të prodhuara në vend, sipas planifikimit Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Përgjegjësja e këtij laboratori Kimete Dafku thotë se numri i kontrolleve mujore arrin në rreth 200 analiza, ndërsa vetëm për muajin maj janë kryer rreth 310 analiza.
Me analizat e bëra monitorohen epidemitë e ndryshme, sasia e jodit në kripë ashtu dhe analiza të vlerave ushqimore të qumështit dhe artikujve të tjerë.
Dafku tregon se pajisjet e laboratorit janë mjaft cilësore, por në muajt e ardhshëm do të bëhet një rikompletim me aparatura bashkëkohore sipas një projekti të financuar nga BE-ja.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





