DURRËS, 8 qershor 2013 –26-vjeçarja krutane Trëndafile Kishi është martuar me shkuesi me 40-vjeçarin Sllavisha Pavlloviç, në fshatin Hoçë e Madhe të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë, për më tepër, të dy palët janë të kënaqura.
Radioja gjermane Dojçe Vele (Deutsche Welle) thotë se serbët nga Hoça e Madhe martohen me shqiptare të Shqipërisë.
Sipas DW-së, të rinjtë nga komuna e Rahovecit në Kosovë kanë pasur probleme për t’u martuar, në veçanti pas vitit 1999.
Vajzat kanë ikur në Serbi, ndërsa meshkujt kanë mbetur beqarë madje deri në moshën 50 vjeç.
Duket se është gjetur një zgjidhje, pasi janë përfshirë agjenci martesash që ndërmjetësojnë.
Martesat me femra nga Shqipëria nuk janë të rralla, janë dhjetë të tilla, të cilat janë martuar kohët e fundit me serbë të komunës së Rahovecit.
Serbi Sllavisha Pavlloviç shpjegon se si e ka njohur gruan e tij në Shqipëri:
“Mua më ka njohur me të ndrikulla jonë, po ashtu nga Shqipëria. E kemi pëlqyer njëri-tjetrin dhe kemi rënë dakord. Kam pritur një javë dhe më pas i kam blerë një unazë, një orë… por nuk kam paguar asgjë për martesë, si disa të tjerë të cilët përmes agjencive kanë paguar nga 500 apo 1000 euro. Unë s’kam dhënë asnjë qindarkë”.
Kurse e shoqja, krutania Trëndafile Kishi, tregon se para gjashtë muajsh i lindi djali Nebojsha:
“Jam shumë e kënaqur me jetën time këtu. Vjehrra më ka pritur shumë mirë, ndërsa me burrin kuptohem mirë edhe pse ai nuk di shumë shqip e unë di pak serbisht
Ndërkohë vjehrra, Zhivana, nuk e fsheh kënaqësinë për martesën e djalit të saj:
“Zoti më ka bekuar me këtë të re (nuse). Ajo më respekton, më pyet a jam mirë dhe a më duhet ndonjë gjë. Vajzat tona (serbe) me siguri që nuk do të më pyesnin. Një herë kam qenë edhe në Shqipëri dhe ata njerëz më kanë lënë përshtypjen e njerëzve shumë të mirë. Nuk mund ta marrësh me mend sa të mirë janë. Jam shumë e kënaqur. Më ka lindur edhe një nip, të cilit ia kam vënë emrin e djalit, Nebojsha, të vrarë në vitin 1999. Këtu ka mjaft gra shqiptare të ardhura nga Shqipëria, por kjo e jona është më e mira”.
Të gjitha gratë nga Hoça e Madhe, pra edhe ato që kanë ardhur këtu nga Shqipëria, shkojnë për t’i lindur fëmijët në Serbi.
Por Trëndafilja lindi këtu, në spitalin e Rahovecit.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





