TIRANE, 7 qershor 2013 – Kreu i FRD-së Bamir Topi e ka ndalur fushatën në lagjen e fëmijërisë së tij tek zona e ish-kinema ‘17 Nëntorit’, ku në një takim me banorët u shpreh i habitur, që sot në një ditë të premte kishte kaq shumë njerëz në shtëpi e kafene.

Sipas tij, faji për mungesën e vendeve të punës është i qeverisë. 

“Vij sot këtu në lagjen time të vjetër, shtëpia ime e vjetër që ende ekziston si një njollë jeshile është jo më larg se 100 metra. Kam ardhur për të takuar miqtë e mi të vjetër, këto ditë me mision tjetër se jemi në fushatë. Dua t’i transmetoj programin politik. Këtu u ndesha me një pamje të pakontestueshme, është ditë e premte dhe duket si pushim, tregon se populli shqiptar në mazhorancë është i papunë. Këto janë parullat false do punësojmë 300 mijë persona, kur rinia kalon kohën nëpër kafene në kohë në duhet të ishte në punë. Është faji i kësaj politike që mendon vetëm për komoditetin e një grupi të caktuar njerëzish”, vijoi Topi. 

Kreu i FRD-së më tej ka komentuar edhe deklaratat që brehen nga selia blu, për ta etiketuar FRD-në si një forcë politike jo të djathtë. 

Topi akuzoi kryeministrin Berisha duke thënë se “Unë dëshiroj t’i jap përgjigje këtij individi pa personalitet, i cili përfundoi si një zvarranik në politikë, që vjen pas 20 vitesh në Shqipëri dhe thotë që FRD nuk përfaqëson të djathtën. Ata sot bëjnë fushatë për Xhuvelin e Islamin, përfytyroni sa poshtë kanë rënë, e nisën me të përndjekurit e pronarët dhe e përfunduan me njerëz pa personalitet”, komentoi Topi.