DURRËS, 7 qershor 2013 – Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi Spartak Ngjela është pritur në një takim madhështor nga banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës.

Sipas zëdhënësit të fushatës së PS-së, në këtë takim mori pjesë edhe Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Shoqata e të Përndjekurve politikë si dhe kandidatët e kësaj partie për Qarkun e Durrësit.

Lideri i PLD-së, në fjalën e tij  u shpreh se kjo zonë është e harruar nga qeveria, ndaj u bëri thirrje që të votohet masivisht nga kjo zonë për një fitore të përbashkët në datën 23 qershor.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka paraqitur ambicjet e tij për zhvillimin e Durrësit gjatë viteve të ardhshme.

Në fjalën e tij ai është përqendruar në fushat ku do të konsistojë puna e tij si dhe garantoi një urbanizim modern të zonës dhe zhvillimin ekonomik ndërkohë që shtoi se me programin e Rilindjes do të rilindë jo vetëm kjo zonë por i gjithë vendi.

Zona e ish Kënetës është një zonë rezidenciale me popullsi  të re, një zonë që ka nevojë për rinovim urban. 

Në vizionin e tij, kryebashkiaku Dako deklaroi se Zona e ish-Kënetës po ndërthuret me pjesën tjetër të qytetit duke u bërë një trup i vetëm me sistemin e infrastrukturës së tij.