DURRES, 7 qershor 2013 – Pavarësisht reagimeve të kreut të ekzekutivit, deputetit Sali Berisha, monumenti i dy gishtave në Kavajë nuk do të jetë pjesë e qendrës së këtij qyteti në të ardhmen. Në asnjë prej katër projekteve të prezantuara nga studio arkitekturore shqiptare dhe italiane nuk është përfshirë ruajtja e këtij monumenti, ndërsa është pritur me interes të madh nga qytetarët prezantimi i parë publik i projekteve për sheshin qendror dhe rindërtimin e xhamisë "Kubelije" në Kavajë. Sheshi është konceptuar si një shesh multifunksional në harmoni me xhaminë dhe jetën komunitare të qytetit. Kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi shprehet se Kavaja e meriton një rikonceptim të qendrës së vet dhe se monumenti aq shumë i diskutuar i kohëve të fundit do të zëvendësohet nga një tjetër monument që do të simbolizojë qytetin dhe vlerat e tij:

“Kjo është faza e parë e përzgjedhjes së projektit fitues për transformimin e qendrës së Kavajës dhe zgjerimin e xhamisë. Ky është një projekt me vlerë 8 milion euro që shumë shpejt me të ardhur në pushtet njerëzit që e duan dhe respektojnë Kavajën do të nisë realizimi. Monumenti i dy gishtave as i tillë nuk është. Ai do të zëvendësohet nga një tjetër monument, bazuar në idenë e studios projektuese që do të fitojë në përfundim të fazës së dytë. Monumenti është një gozhdë nastradini me të cilin Berisha është tallur për 23 vjet.”- tha kryebashkiaku Elvis Rroshi.

Në fund të prezantimit të projekteve në pallatin e kulturës "Kavaljon" qytetarët kanë marrë pjesë në diskutime, duke u ndalur dhe në detaje të projekteve të paraqitura, duke vlerësuar gjerësisht faktin që për herë të parë në mbi 20 vjet demokraci u merret mendimi për projekte që kanë të bëjnë me qytetin dhe zhvillimin e tij. Katër projektet e paraqitura kanë ofruar idetë përkatëse për ndërtimin e një xhamie më të madhe në qytet, si dhe ofrimin e hapësirave publike shlodhëse për qytetarët dhe vizitorët e saj. Elementët romanë dhe otomanë ndërthureshin bukur në dy prej projekteve duke ridimensionuar sheshin dhe bulevardin në vazhdim të tij. Njëri prej projekteve, ai i grupit të arkitektëve të kryesuar nga i mirënjohuri Klement Kolaneci, parashikon zëvendësimin e monumentit të dy gishtave me një Hark Triumfi për Kavajën, mbi të cilin do të qëndrojnë dy kuaj, si simbol i qytetit dhe emrit të tij. Katër projektet e paraqitura para qytetarëve kavajas i përkasin tre studiove shqiptare dhe një studioje italiane.

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/