DURRES, 7 qershor 2013 – Ndërmarrja e Komunales së Plazhit Durrës, ka nisur punën ditën e sotme për pastrimin e vijës bregdetare nga leshterikët.
Të angazhuar për pastrimin e plazhit publik, janë të gjithë punonjësit e ndërmarrjes si dhe makineri të rënda, të cilët po punojnë me intesitet të lartë.
Alfred Dhuli, drejtori i Ndërmarrjes së Komunales Plazh, garanton se e gjithë vija bregdetare do të pastrohet deri në fundjavë nga papastërtitë dhe leshterikët të dala në dreg të detit si pasojë e kohës së keqe.
"Eshtë hera e dytë nga ana e ndërmarrjes që po ndërhyhet me mjete të rënda për pastrimin e vijës bregdetare nga leshterikët, të cilët kanë dalë në breg të detit si pasojë e kohës së keqe. Ne garantojmë që e gjithë vija bregdetare do të pastrohet deri në fundjavë me qëllim që pushuesit ta gjejnë plazhin e Durrësit gati", tha drejtori i ndërmarrjes së Komunales Plazh Alfred Dhuli.
Ndërkaq, Dhuli shpjegon më tej se në ndihmë të kësaj ndërmarrje, krahas bashkisë së qytetit, kanë mbërritur edhe biznese të ndryshme, të cilët po punojnë për pastrimin e plazhit publik nga leshterikët.
Me përfundimin e pastrimit, puna do të përqëndrohet në plugimin e brezit të rërës, vendosjen e koshave të mbeturinave si dhe pasjisjen e plazhit me sinjalistikën e duhur.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





