DURRËS, 7 qershor 2013 – Rezultatet në rritje të kombëtares shqiptare kanë ngrohur zemrat e tifozerisë durrsake, të cilat presin tri pikët e kualifikimit historik nga ndeshja e sotme Shqipëri-Norvegji. Prej një jave disa qindra punonjëse të rrobaqepësisë “Grori konfeksion” kanë punuar për realizimin e flamujve që do të veshin kuq e zi stadiumin “Qemal Stafa” në pritje të ndeshjes që do të ndiqet me interes të madh në të gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë. Flamuri kryesor është i gjatë 60 metra dhe i gjerë 40 metra, me një peshë totale prej afro 400 kg. Ai do të vendoset mbi tribunën kryesore të stadiumit, ndërkohë që vazhdon me intensitet përgatitja e dy flamujve të tjerë në përmasat 120 metra të gjatë dhe 2 metra të gjerë. Për vendosjen e flamurit kryesor mbi tribunë po punojnë 20 persona në Tiranë.

Një atmosferë e këndshme falenderimi pritet të krijohet në stadium edhe për futbollistët Skela dhe Lala që kanë vendosur t’i thonë lamtumirë lojës më të dashur ndër shqiptarë, futbollit. “Tollumbace kuqezi, si dhe banderola me mbishkrimet: "Faleminderit Skela!" dhe "Faleminderit Lala!" janë përgatitur për dy lojtarët dhe kontributin që ata kanë dhënë në futbollin shqiptar.”- thotë për “Dyrrah” Nazmi Grori, pronar i firmës së konfeksioneve që ka realizuar “veshjen” kombëtare të stadiumit “Qemal Stafa”.

Ashtu si në të gjithë vendin, edhe në qytetin bregdetar, pritshmëria për këtë ndeshje është mjaft e lartë për shkak të qenies pranë një kualifikimi historik për në Botërorin Brazil 2014.

Grori thotë se janë rezultatet në rritje të kombëtares shqiptare që nxitën nismën për këtë mbështetje në vazhdimësi të ekipit, aq më tepër tani që më shumë se kurrë Shqipëria ndodhet pranë kualifikimit për në botërorin e rradhës. Mbi 18 mijë tifozë të flaktë është parashikuar të jenë të pranishëm në stadium për këtë ndeshje. Mes tyre shumë durrsakë që këtë herë me krenari mund të ndjehen pjesë e atmosferës së krijuar në stadium. 

Përballjet me Norvegjinë

Shqipëria është përballur tri herë me Norvegjinë në ndeshje zyrtare. Në këto sfida, ne kemi dalë me një fitore, një humbje dhe një barazim, ndërsa sot kombëtarja jonë do të tentojë fitoren për të siguruar kualifikimin e shumëpritur në Brazil 2014.

22/03/13 (Botëror, eliminatore) – Norvegji 0-1 Shqipëri

05/06/99 (Euro, kualifikime) – Shqipëri 1-2 Norvegji

14/10/98 (Euro, kualifikime) – Norvegji 2-2 Shqipëri

/v.q. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/