FIRENCE, 6 qershor 2013- Trupi i djegur dhe i therur i një shqiptari është gjetur nga policia italiane. Mësohet se viktima, emri i të cilit nuk është bërë i ditur është një i ri shqiptar i zhdukur pak ditë më parë, në datën 31 maj, kur është bërë dhe denoncimi nga të afërmit e të riut. Mediat italiane njoftuan se kufoma është gjetur në kazermën “Ujqërit e Toskanës” në Firence, e cila ka vite që është braktisur.
Policia konfirmoi se kufoma është djegur, për të fshehur gjurmët e krimit. Nga ekspertiza rezulton se vdekja mund të jetë shkaktuar nga prerja e fytit dhe më pas i është vënë flaka. Ai që e zbuloi trupin ishte një karabinier që po kontrollonte zonën për verifikim vjedhjesh apo aktesh kriminale. Ai gjeti gjurmë gjaku në një mjet të braktisur prej ditësh.
Sipas hetuesve, vrasja mund të ketë ndodhur pikërisht në makinën e gjetur afër kazermës. Më pas, kufoma është transportuar në ish-kazermën ushtarake dhe është lagur me lëndë djegëse, për ta bërë të vështirë identifikimin. Makina rezulton se i përket një personi me banim në Milano, në emrin e të cilit figurojnë shumë makina dhe ai njihet si një qeradhënës makinash. Pistat e ngritura për këtë vrasje janë larja e hesapeve mes bandave kriminale, ose ndonjë hakmarrje për motive personale mes shqiptarëve, ndërsa vijojnë hetimet e koordinuara me prokurorinë e Firences.
/Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





