• Ekskluzive e “Dyrrah”-ut / Kështu bullgarët blejnë nikotinë shqiptare ilegalisht

SOFJE, 6 qershor 2013 – “Fjalëkalimi “Dua bonbone” për cigare shqiptare në Varna”, ky është titulli i një shkrimi të botuar më 5 qershor 2013 në të përditshmen bullgare të Sofjes “24 Çasa” (24 orë).

Bullgaria si një vend i BE-së po lufton fort kundër kontrabandës së mallrave me akcizë; po ashtu dhe Shqipëria e rajoni.

Por rrjeti ndërkombëtar i mafies së nikotinës është shumë më i fortë se strukturat shtetërore, gjë që vërehet dhe në shkrimin për tregtinë e markave të falsifikuara më qytetin portal bullgar të njohur të Varna-s.

Qysh në vitin 1994, administrata amerikane kishte projektuar qe Durrësi dhe Varna të ishin skajet e Korridorit të 8-të.

Por në vend të realizimit të tij nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria, kontrabandistët ndërtuan “Korridorin 8 të Cigareve False”.

Agjencia e lajmeve “Dyrrah” po boton të plotë shkrimin e së përditshmes bullgare, shoqëruar me një informacion të shkurtër mbi prodhimin cigareve në Shqipëri.

Në fotot që pasojnë specialen paraqitet një aspekt nga puna në ish-fabrikën e cigareve “Telat Noga” si dhe pamje të paketave të prodhuara në Durrës.

Shkrimi/ Fjalëkalimi “Dua bonbone” për cigare shqiptare në Varna

Pas disa operacioneve të suksesshme të policisë këtë vit shitësit e cigareve pa pullën e akcizës në Varna janë bërë më krijues.

Vendet kryesore buzë detit për shpërndarjen e cigareve kontrabandë të prodhuara në Rumani, Ukrainë, Shqipëri, Rusi dhe Maqedoni, janë “Pazari i Kooperativës”, garazhi pranë tij, sheshi para katedrales, plazhi dhe një treg prapa pallatit të sportit.

Në garazhe, të cilat konsiderohen vende më të mbushura me cigare të falsifikuara, përdoret fjalëkalimi /parulla “Dua bonbone” [Tërsja bonboni]. Pas saktësimit të çmimit dhe markës menjëherë shfaqet një person i dytë me një qese plot me cigare.

Para garazhit është gjithmonë një vëzhgues special, i cili vlerëson nëse blerësi është apo nuk është ndonjë inspektor policie i maskuar dhe paralajmëron njerëzit prapa banakut.

"Cigare të lira” mërmërit nën hundë një rom në “Pazarin e Kooperativës”. Ky është vendi më i rrezikshëm për tregtarët e paligjshëm, por përdoret shpesh.

Shitësi nuk mban shumë cigare dhe ofron 5-6 lloje mostrash të markave pak të njohura – zakonisht 20 leva [afërsisht 10-11 euro – “Dyrrah”] steka. Paketat më të shtrenjta janë “Marlboro”, “Davidoff” dhe “Parlament”, që kushtojnë 40 leva [afërsisht 20-21 euro – “Dyrrah”] steka.

Që në fillim të qershorit ka pasur shitës cigaresh dhe para katedrales mu në qendër të Varnës, mbushur gjithmonë e plot e përplot me turistë kureshtarë. Gjermanët, izraelitët, anglezët nuk i refuzojnë cigaret e lira, thonë tregtarët.

Me ngrohjen e motit shitësit e cigareve kontrabandë shkojnë dhe në plazh.

“Cigaret, veçanërisht ato të prodhuara në Shqipëri, kanë shije të neveritshme. Duhani është i trashë dhe i ngurtë i jo i bluar mirë, me papastërti e kleçka dhe është shumë i fortë. Nuk bën për femrat dhe nuk ia vlen të harxhosh paratë”, pranon duhanxhiu i betuar Svetljo Simeonov, i cili blen rregullisht cigare pa pullë akcize.

Sipas tij, më të mirat ishin cigaret e prodhuara në Rumani dhe Rusi, që nuk tregtohen rregullisht në Varna. Ata u bien në dorë tregtarëve nëpërmjet kanaleve të ndryshme – marinarëve, kamionistëve, turistëve. /Përkthimi i “Dyrrah”-ut/

Info/ Cila është gazeta “24 Çasa”

“24 Çasa”, pjesë e grupit media “168 Çasa”, është një nga të përditshmet me tirazhin më të madh në Bullgari.

Doli në treg në vitin 1990, ka format tabloidi me popullaritet të gjerë.

Duke ofruar paga të larta dhe një liri relative nga paragjykimeve partiake, tërhoqi disa nga gazetarët më të talentuar bullgarë.

Ajo gjithashtu ka punësuar gazetarë shumë të rinj për lajme scoop (shpesh në kurriz të saktësisë).

Në këtë gazetë bashkëpunojnë intelektualë dhe politikanë, të cilët tundohen për shkak të qarkullimit të lartë të garantuar në shpërndarjen e ideve të tyre.

Gazeta tani është pjesë e grupit mediatik gjerman “WAZ-Mediengruppe. /Burimi: Wikipedia/

Info/ Licenca bullgare për “Telat Nogën

Gjatë viteve 1980, fabrika e cigareve Durrës “Telat Noga” filloi prodhimin e disa llojeve paketash cigaresh.

Me licencën e kompanisë shtetërore bullgare “Bulgartabac” u prodhuan “Arda” dhe “Stewardess” për tregun bullgar dhe një sasi e vogël shitej në Shqipëri.

Po ashtu u nënshkrua një marrëveshje me Monopolin Polak të Duhanit për prodhimin e cigareve “Dukat”, me duhan polak për eksport vetëm në Poloni dhe një sasi për tregun e brendshëm shqiptar.

Fabrika gjithashtu u përfshi në prodhimin e cigareve të falsifikuara të markave të njohura, për llogari të kontrabandistëve ndërkombëtarë me anën e ish-Sigurimit të shtetit (kryesisht “Winston” dhe “Kent”).

Info/ “VeVe”

Në vitin 1996, biznesmeni shqiptar-maqedonas Vebi Velija ndërtoi një fabrikë cigaresh në Përrenjas. “Albania Tabak” prodhonte markat “Veve”, “Aurora” dhe “Partner” (marka “Partner” u prodhua me licencën e “Makedonija Tabak”). Fabrika u mbyll në vitin 1997 nga ana e policisë për shkak se ishte implikuar në prodhimin e cigareve të falsifikuara “L&M”.

Pas disa muajsh, fabrika u hap përsëri dhe u mbyll përfundimisht në vitin 2003, për shkak të mos-shitjes në treg.

Fabrika ku prodhoheshin cigaret “VeVe” kishte një kapacitet prej 1 000 tonë në vit. Duke filluar nga viti 1998 prodhimi i saj ishte 500 tonë, më pas ai ra në 350 dhe vitet e fundit sasia zbriti në disa dhjetëra tonë cigare.

Falimentimi i firmës shqiptare sipas prodhuesve vendas, i referohet kontrabandës dhe nivelit të ulët të taksave për prodhimet e importit, ndërsa goditjen përfundimtare ia dha rritja e nivelit të akcizës.

Aktualisht, fabrika e prodhimit të cigareve të “Albanian Tobacco” ka dalë në shitje për investitorët e huaj. /Burimi: mediet shqiptare/

Info/ Sherri për “Port”-in etj.

Më 17 maj 2012, Gjykata e Apelit Tiranë mori në shqyrtim çështjen civile, që u përket palëve “Sino Albanian Industry”, si paditëse; Drejtoria e Përgjithshme e Patentave dhe Markave, palë e paditur dhe “Albania Tabak, Fabrika e Re e Cigareve”, me seli në Librazhd, si palë e tretë.

Kompania kino-shqiptare kërkonte që Apeli të detyronte Drejtorinë e Përgjithshme e Patentave dhe Markave që të regjistronte në favor të saj markat e cigareve të kohës së komunizmit të fabrikës së Durrësit: “Arbëria”, “DS”, “Porti”, “Gent”.

Por Apeli ka lënë në fuqi vendimin nr. 2174, datë 23 mars 2011, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë kundër ankesës së “Sino Albanian Industry” (SAI) shpk.

Për shkak se “DS”, “Porti”, “Gent” , “Arbëria” janë marka të mirënjohura në territorin shqiptar regjistrimi i tyre do të sillte keq-orientimin ose mashtrimin e publikut lidhur me cilësinë dhe origjinën e këtyre produkteve, do të sillte shfrytëzimin e padrejtë të reputacionit të fituar në tregun shqiptar nga këto marka duke krijuar kështu për palën paditëse një avantazh të padrejtë ndaj prodhuesve të tjerë të cigareve.

Nuk rezulton që shoqëria “Sino Albanian Industry” shpk dhe shoqëria “Albania Tabak Fabrika e Re e Cigareve” të kenë fituar të drejta mbi këto marka dhe nuk rezulton që shteti shqiptar t’ua ketë transferuar me ndonjë akt ligjor apo kontrate të drejtat mbi këtë markë.

Ka rezultuar gjatë gjykimit në shkallë të pare si dhe në Apel se pala e paditur, në pranim të aplikimeve të bëra nga subjekti paditës, ka regjistruar marka të tjera: “Partizani”, “Rozafa”, “Butrinti”, “Apollonia” etj. /Burimi: Gjykata e Apelit Tiranë/.

/Përgatiti Thanas Mustaqi, Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/