DURRES, 6 qershor 2013 – Kandidatët për deputetë të PS-së, Klodjana Spahiu dhe Ilir Beqaj kanë zhvilluar takime në lagjet nr-5, 6 dhe 11 të Durrësit. 

Spahiu dhe Beqaj janë takuar me shumë qytetarë të Durrësit si dhe me biznesin e vogël të vendosur në këto zona.

Shqetësimi i ngritur nga qytetarët e Durrësit në këto takime ka qenë i njëjtë, situata jashtëzakonisht e rëndë ekonomike dhe varfëria që po përjetojnë banorët e Durrësit ashtu si në të gjithë Shqipërinë. 

Po kështu edhe biznesi i vogël i ka bërë të njohur problemet e tij ekipit durrsak të Rilindjes ku biznesmenët e vegjël deklaruan se varfëria por edhe gjobat që i vihen nga pushteti po i çojnë këto biznese drejt falimentimit.

Nga ana e tyre Spahiu dhe Beqaj kanë sqaruar të gjithë qytetarët se programi i PS dhe i Rilindjes do të rimëkëmbin të gjithë vendin dhe do të luftojnë varfërinë duke rilindur ekonominë e rrënuar.

Në lidhje me gjobat e vëna nga pushteti ditët e fundit për këto biznese, Beqaj deklaroi se ato nuk do të njihen nga qeveria e koalicionit të majtë.

Sa për biznesin e vogël Spahiu dhe Beqaj kanë përsëritur angazhimin e PS-së se qeveria me kryeministër Edi Ramën do të heqë taksën e biznesit të vogël si dhe do të përgjysmojë tatimin mbi fitimin e këtij biznesi.

Në këtë mënyrë do të lehtësohet mjaft biznesi i vogël në Durrës dhe në të gjithë Shqipërinë deklaruan Spahiu e Beqaj në rrugëtimin e tyre në këto lagje të Durrësit.