TIRANE, 6 qershor 2013 – Zbulohet një bazë e falsifikimit të kartave të identitetit dhe dokumentave të tjera shtetërore.
Arrestohet Ylber Huqi dhe shpallet në kërkim një person tjetër.
Operacioni i policisë u krye nga strukturat e Sektorit të Krimit Ekonomik në bashkëpunim me struktura të tjera të specializuara.
Huqi, 62 vjeç është arrestuar për të dytën herë për të njëjtën vepër penale, atë të falsifikimit të dokumentave dhe vulave shtetërore.
Drejtoria e Policisë së Tiranës deklaroi:
“Goditet në kryeqytet një bazë falsifikimi të dokumentave zyrtare dhe ekzekutohet masa e sigurisë së Gjykatës për 62- vjeçarin Ylber Huqi. Sot, Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorisë e Policisë së Qarkut Tiranë finalizoi procedimin e nisur rreth 4 muaj më parë duke arrestuar shtetasin Ylber Xhaferr Huqi dhe shpallur një tjetër në kërkim policor, si bashkëpunëtor i dyshuar.
Në kuadër të këtij operacioni policor, i realizuar me pjesëmarrjen dhe koordinimin e strukturave të Krimit Ekonomik – Financiar, Sektori i Operacioneve Speciale dhe nën drejtimin e Njësisë së Përbashkët Hetimore Kundër Krimit Ekonomik në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua sekuestrimi i një baze falsifikimi të dokumentave zyrtare.
Operacioni u realizua në afërsi të zonës së Xhamllkut në Tiranë, ku sot në orën 14.00 u arrit ekezekutimi i masës së sigurisë “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Ylber Huqi për konsumim të veprës penale të fallsifikimit të dokumentavee vulave, e kryer më shumë se një herë”. Pas një punë operative hetimore dhe proçeduriale u mundësua dokumentimi ligjor i përfshirjes së këtij shtetasi në aktivitetin e falsifikimit të dokumentave zyrtare si vula të ndryshme të Drejtorisë Rajonale së Transportit Rrugor, vula të ndryshme të komunave Paskuqan, Kryeevidh etj).
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e konsiderueshme të dëftesave të shkollave të mesme të ndryshme të falsifikuara, një sasi e konderueshme të Vërtetimeve të Hyrje – dalje të Doganës së Durrësit, një sërë certifikatash të zyrave të ndryshme të gjëndjes civile, karta identiteti të dyshuar të falsifikuara, një sasi e konsiderueshme të lejeve të qarkullimit ndërkombëtar të mjeteve, formular të paplotësuar të vërtetimeve të ndryshme të titullit të pronësisë, Vërtetime e formular të paplotësuar të Zyrës së Rregjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë pas një kontrolli të banesës së tij e cila shërbente njëkohëshisht si bazë fallsifikimi të dokumentave zyrtare u sekuestrua edhe një sasi prej 2 kg lëndë narkotike.
Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor për hetime të metejshme ndërkohë që vazhdon puna hetimore për të identifikuar të tjerë persona të përfshirë në aktivitet të kundraligjshëm.





