LEZHE, 6 qershor 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, zhvilloi sot një bashkëbisedim me banorët e Lezhës, ku iu përgjigj pyetjeve dhe shqetësimeve të tyre.

Rama u kërkoi banorëve të Lezhës, që më 23 qershor të “ndryshojnë me votë Shqipërinë”. 

“Këto zgjedhje janë zgjedhje për të përcaktuar me votë çfarë do të ndodhi me Shqipërinë. Do vazhdoni me përmbytje, pa ujë të pijshëm. Kush nuk e bëri 8 vjet nuk ka shans ta bëjë 4 vjet të tjera. Prandaj është bërë demokracia, prandaj është bërë vota. Vota është për të marrë në punë qeverinë, jo për të mbajtur në punë njerëzit kot. Me teorinë ky është i joni se është nga veriu. Kjo s’ka lidhje fare. Duhen bërë zgjedhje me mend në kokë për të parë çfarë do mund të ndryshoj unë me votën time.”- u shpreh Rama. 

Më tej kreu i socialistëve iu përgjigj shqetësimeve të banorëve për ujin e pijshëm, duke thënë:

“Në këtë fushatë unë nuk kam folur shumë për ujin e pijshëm se më vjen turp. Sa herë ka fushatë, do t’ju japim ujë për të pirë dhe ujë s’ka. 8 vjet në pushtet, të kisha qenë në vendin e tij do kisha ik, meqënëse nuk ju solla dot ujë nuk e meritoj. Për çështjen e ujit të pijshëm do të angazhohemi ditë-natë që çdo shtëpi e këtij vendi të ketë ujë për të pirë dhe për tu larë. Kjo e ndan qytetërimin nga mesjeta. Kjo e ndan qytetërimin me shtet nga një popull pa shtet. Do bëjmë gjithçka që një orë e më parë kjo çështje të zgjidhet. Një familje që ka hallin e ujit pas 23 qershorit do ketë në krah një qeveri dhe një kryeministër që hallin e tyre do ta ketë hallin e vet. Lufta jonë për ujin e pijshëm në çdo shtëpi do jetë luftë e përditshme”- deklaroi Rama. 

Ndërsa u bëri thirrje banorëve të Lezhës, që të bindin për të marrë pjesë në votime, çdokënd që nguron ta ushtrojë të drejtën e tij, Rama tha se zgjedhja në 23 qershor është e qartë, “ose pushteti në qafë, ose qeveria në krah”. 

“Duhet të ngremë shtetin që duhet të mbrojë njerëzit nga përmbytjet, nga krimi. Njerëzit armatosen me çifte që të mbrojnë shtëpinë, se vijnë jua vjedhin dhe nuk përgjigjet kush. Pse se s’ka shtet. Por çfarë diskutimesh bëjmë ne, nëse A-ja nuk eksiton. Pa dashur që të tregojmë përralla këtu. Se ju e dini kush i tregon përrallat. Mjafton të hapni televizorin keni gjyshin me antiplumb. Përralla nuk tregojmë. Kushdo që vazhdon ta mbajë pushtetin në qafë e ka të thjeshtë votën për Saliun. Kush do qeverinë në krah, nuk duhet të shohë fare teserën e partisë, por të votojë Partinë Socialiste”- deklaroi Rama.