Selia blu humb mazhorancën në "parlamentin" e qytetit, ka vetëm 21 këshilltarë nga 45 gjithsej

DURRES, 6 qershor 2013 – Aleanca e krijuar mes PS-së dhe LSI-së ka bërë që mazhoranca e dikurshme të mbetet tashmë me 21 këshilltarë nga 45 që ka gjithsej këshilli bashkiak i qytetit të Durrësit.

Ndërsa prej kohësh ky këshill nuk është mbledhur për të miratuar buxhetin e këtij viti, apo edhe për miratimin e paketës fiskale. Kjo situatë ka bërë që bashkia e qytetit të punojë mbi bazën e një viti më parë.

Ngërçin e krijuar në këshillin bashkiak nënkryetari i bashkisë së Durrësit Ardian Çela ua faturon anëtarëvë të djathtë, të cilët, sipas tij, po tentojnë të shkrijnë këshillin bashkiak për të bllokuar punën.

Sipas Çelës, minoranca e djathtë në këshill nuk është mbledhur, por i ka dërguar një shkresë për interpretim prefektit të Qarkut Durrës Genc Juka, ku i kërkojnë të interpretojë për mosmbledhjen e këshillit bashkiak, me pretendimin se ka tre muaj që nuk mblidhet dhe ky këshill duhet të shkrihet.

"Kjo kërkesë dërguar prefektit të qarkut Durrës mban datën 19 prill, ndërsa prefekti brenda 20 ditëve duhet të kthejë përgjigje. Por krahas kësaj kërkese edhe sot e kësaj dite Juka akoma nuk ka kthyer përgjigje", tha nënkryetari i bashkisë së Durrësit Adrian Çela.

Sipas Celës, mosmbledhja e  këshillit bahkiak ka shkaktuar probleme te ndryshme në funksionimin e bashkisë dhe institucionet në varësi siç janë kopshtet  dhe çerdhet, por edhe investime të tjera publike në infrastrukturë të cilat kanë nevojë emergjente për ndërhyrje.

Prefekti i Qarkut Durrës Genc Juka, pohon se ka mbërritur një shkresë në muajin prill, ku kërkohet shkrirja e këshillit bashkiak.

"Unë jam njohur me kërkesën e mbërritur pranë prefekturës së Durrësit nga këshilltarët e djathtë të cilët kërkojnë shkrirjen e këshillit, me pretendimin se ky këshill ka më shumë se tre muaji që nuk është mbledhur. Por ky vendim nuk më takon mua, ndaj ashtu sikurse e përmban ligji unë i jam drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Brendshme dhe Këshillit të Ministrave, pasi janë këta të fundit që do të vendosin mbi fatin e këshillit bashkiak të Durrësit", tha Juka, prefekti i qarkut Durrës.

Këshilli bashkiak në Durrës është mbledhur për herë të fundit më 11 janar ku ka miratuar planin rregullues të qytetit.

Mbledhja e radhës u njoftua të mbahej në 25 shkurt, por u anullua pa dhënë asnjë shpjegim nga sekretaria e këshillit.

/ e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/