ROME, 6 qershor 2013 –Një gjykatë në Itali ka dënuar kirurgun Andrea Piçardo për akuzën e “lëndimeve shumë të rënda fizike” ndaj një shqiptari 45-vjeçar, i cili ka pretenduar se i është hequr gabimisht një veshkë.

Në tetor të vitit 2011, Piçardo ishte edhe shefi i repartit të kirurgjisë të spitalit Cairo Montenotte të Savonës, kur shqiptari B. Meta, 45 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në shpretkë dhe iu hoq gabimisht edhe veshka e vetme e shëndoshë.

45-vjeçari kishte ardhur  për t’u kuruar pranë familjarëve të tij, që prej vitesh jetojnë në Savona.

Duket se gjatë operacionit, mjekët kishin parë të arsyeshme, që përveç shpretkës t’i hiqnin edhe një pjesë të pankreasit dhe veshkën e majtë, duke e lënë vetëm me veshkën e djathtë, prej vitesh e atrofizuar.

Meta u detyrua kështu të mbijetojë me dializë për nëntë muaj derisa iu transplantua një veshkë.

Për këtë rast kirurgu u hodh në gjyq për akuzën e “lëndime personale shumë të rënda”.

Pas operacionit të Metës, spitali mori masa dhe e hoqi mjekun Piçardo nga puna dhe për këtë fakt kirurgu paditi spitalin në gjykatën civile.

Në tetorin e shkuar, gjykata i dha të drejtë spitalit, sepse, sipas saj, Piçardo kishte bërë një “gabim të pafalshëm”, madje i kishte shkaktuar spitalit një dëmtim imazhi.

Piçardi kërkoi të gjykohej me gjyq të përshpejtuar duke ulur kështu me një të tretën dënimin e parashikuar nga vepra penale për të cilën u akuzua.

Më pas vazhdoi gjyqi penal, ku doktori u dënua me 10 muaj burg.

Meqë doktori nuk kishte pasur dënime të tjera gjykata i dha pezullim me kusht të dënimit.