DURRES, 5 qershor 2013 – Kandidati për deputet i PS-së në Durrës Ilir Beqaj, ka zhvilluar takime me qytetarë dhe biznesin e vogël në lagjen nr. 1 të qytetit të Durrësit.

Në rrugëtimin e tij në këtë lagje ku përfshihet edhe rruga tregtare e Durrësit, Beqaj është njohur nga afër me problemet e shumta që parballen qytetarët e Durrësit, por veçanërisht biznesi i vogël që ndodhet në këtë zonë.

Biznesi i vogël në të gjitha këto takime ka ngritur shqetësime lidhur me uljen e madhe të blerjeve si pasojë e varfërisë ekonomike që ka pllakosur edhe në Durrës ashtu si në të gjithë Shqipërinë.

Beqaj nga ana e tij ka përsëritur se PS ka marrë angazhimin e saj se menjëherë pas 23 qershorit qeveria me kryeministër Edi Ramën, do të heqë taksën e biznesit të vogël si dhe do të përgjysmojë tatimin mbi fitimin të këtij biznesi.

Sipas Beqajt këto masa do t'a lehtësojnë biznesin e vogël dhe do t'i japin atij më shumë frymëmarrje.

Ndërkohë si në takimet me qytetarët e Durrësit ashtu edhe me biznesin e vogël Beqaj deklaroi se qeveria e PS dhe programi i Rilindjes do të rimëkëmbin të gjithë vendin.

Qytetarët nga ana e tyre si dhe biznesi i vogël i shprehën bindjen Beqajt se vota për PS-në dhe për programin e Rilindjes është votë për të ardhmen e tyre dhe të gjithë vendit, ndaj ajo do të jetë masive në funksion të rimëkëmbjes së vendit.