TIRANE, 5 qershor 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, denoncon rastin e një vajze, të cilës sipas tij, i kanë kërkuar para dhe vota në këmbim të një pune si mësuese. Kryesocialisti e zbuloi rastin në fjalë gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Labinot Fushës.
Përmes rrjetit social “Twitter”, Rama bën të ditur se:
“Matilda Qosja vajzë në Labinot Fushë: Më kërkojnë 5000 euro dhe 100 vota PD që të bëhem mësuese! PS, Rilindje për arsimin përmes meritës”.
Partia Socialiste angazhohet për t’i siguruar arsim cilësor çdo fëmije. Programi i PS parashikon:
“Mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, nga ana e prindërve dhe komunitetit, kur ata nuk i shërbejnë interesit më të mirë të nxënësve. Përmirësim i të ardhurave reale të mësuesve dhe kritere shpërblimi e emërimi bazuar në meritokraci. Mësues të aftë dhe me status, tekste dinjitoze, mjedise normale për çdo nxënës, pavarësisht origjinës dhe burimeve ekonomike familjare. Asnjë mësues nuk do të detyrohet të marrë pjesë në aktivitete politike dhe asnjë mësues nuk do të pengohet të marrë pjesë në aktivitetin politik të opozitës”.





