SHKODER, 5 qershor 2013 – Partia Demokratike zhvilloi sot një miting elektoral në Vaun e Dejës, ku prezantoi kandidatët për deputetë.

Gjatë fjalës së tij përpara mbështetësve të PD-së, kryeministri Berisha sulmoi sërish programin e socialistëve, duke e vënë theksin kryesisht tek premtimi i tyre për të hequr TVSH për 5 ushqimet bazë.

Sipas kryeministrit Berisha, kjo platformë e PS-së do të shkatërrojë fermerët.

“Platforma që paraqet shoku i autobusit për fermerët shqiptarë është një kob i vërtetë për fermat e tyre. Ai premton që lumenjtë e djersës që keni derdhur, fermat t’jua falimentojë duke hequr taksën për vezën, qumështin, bukën. Kjo do të thotë se vezët në Shqiëpri nuk kanë pse të shiten, sepse do të vijnë gjemitë me vezë nga vende të tjera që i prodhojnë me kosto më të ulët dhe mund t’i sheshin me po ato çmime. Premtimi ynë është ky, mbrojtja juaj. Ne do tu mbrojmë ju dhe jo të cënojmë mundin dhe djersën e familjeve që jetojnë në fshat”,- u shpreh Berisha.

Kryeministri ftoi banorët e Vaut të Dejës që të mbështesin PD-në, për t’i dhënë të djathtëve mandatin e tetë në qarkun e Shkodrës.

“Ne po ecim drejt zgjedhjeve dhe mbarë Shqipëria pret nga ju mandatin e tetë, mandatin e artë, mandatin e fitores tonë të thellë dhe të merituar. Ju këto vite firmosët anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, lëvizjen e lirë në mbarë Europën, marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Patë se si ndryshoi Shqipëria. Rruga jonë nuk ka qenë bulevard dhe ende nuk do të jetë bulevard, por është një rrugë që çon drejt një ngjitje të sigurt, na çon drejt integrimit në BE, drejt mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit”,- tha kryeministri.